Përdoruesit e Facebook janë kërcënuar sërish. Një bazë të dhënash e 267 milionë përdoruesve të rrjetit social më të madh në botë ka dalë në publik. Në të përfshihen emra, numra telefonash e mjaft të dhëna të tjera. Rrjedhja e këtij informacioni publikisht në rrjet është zbuluar nga kërkuesi Bob Diachenko. Provat tregojnë se këto të dhëna janë mbledhur nëpërmjet një procesi të paligjshëm.

Mendohet se keqbërësit janë nga Vietnami. Pjesa më e madhe e 267 milionë përdoruesve të prekur nga vjedhja e informacioneve janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dhënat u publikuan në një forum hakerash dhe në të ka pasur kushdo mundësi të hyjë për plot 2 javë. Nga ana tjetër, të dhënat duket se janë reale, pasi numri i identifikimit të Facebook është unik për çdo llogari.

Veç thyerjes së privatësisë, këto të dhëna, në rast se kanë rënë tashmë në duart e gabuara mund të përdoren për dëme të tjera ndaj këtyre përdoruesve, sidomos nëpërmjet numrit të telefonit, thonë ekspertët. Facebook deri më tani nuk e ka dhënë zyrtarisht numrin e përdoruesve të prekur, por shprehet se është duke e hetuar incidentin në fjalë.

/Scan/