MekuliPress ju sjell poezinë e shkëlqyeshme të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko)

Balta shqiptare

Të dua, baltë shqiptare!
Të dua:
egërsisht!
dëshpërimisht! –
Si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta baltën!

Se gjer mbi gju
jam brenda teje;
se lerë kam
këtu:
Si Baba
E Gjyshi.

Të dua, Baltë Shqiptare!
e gjer mbi bel
e përmbi bel
jam brenda teje –
e s’dal dot,
Se s’dua!

Se ti më lidh
e më mban:
Me mjaltë
e me pelin!

Se vdekur ka,
këtu,
dhe Nëna,
Dhe Baba,
e Gjysh-strëgjyshi!

Të dua, Baltë shqipëtare,
magjistare,
e embël
si vetë vdekja!

Se thellë jam këtu,
brenda teje:
gjer mbi gju
gjer mbi bel
e gjer mbi krye.

Dhe dua fort të dehem
të prehem
(ah, që tani!)
Brenda teje.

Të të pushtoj
i dëshpëruar;
të të shtrëngoj,
të më shtrëngosh:
egërsisht!
dëshpërimisht!
e të më tretësh
si gjysh-strëgjyshnë
e si po tret
ah! Zemër-madhë
e flokë-bardhë
e trup-zhuriturin
Babanë!

Të dua Baltë shqipëtare,
magjistare:
ti mjalt e ëmbël, –
pelin e hidhur.
Të dua:
egërsisht,
dëshpërimisht,
si ujku pyllin,
si vala valën
si balta baltën!