Mirësjellja është forma më e lartë e respektit kundrejt personave që na rrethojnë, qoftë të njohur ose jo. Duhet të kemi gjithnjë respekt e të jemi të sjellshëm me njerëzit, edhe me ata që nuk na pëlqejnë. Edukata dhe mirësjellja janë një kartëvizitë për ty, mos e harro kurrë!

Nuk është e lehtë që të tolerojmë dhe të shkojmë mirë me të gjithë,veçanërisht me ata që nuk na janë shumë dashamirës apo simpatikë. Jo të gjithë personat mund të na pëlqejnë, sigurisht, por duhet të kërkojmë të jemi gjithnjë të sjellshëm dhe asnjëherë të keq-edukuar.

Të trajtosh keq dikë vetëm sepse nuk na pëlqen, na bën ne persona të papjekur dhe fëminorë, përveçse na e bën jetën tonë edhe më të komplikuar.

Pse të krijojmë probleme dhe mosmarrëveshje të kota?

Pjekuria jonë lind nga mënyra sesi krijojmë marrëdhëniet me personat që na rrethojnë, edhe me ata për të cilët nuk ushqejmë ndonjë vlerësim të thellë.

Nuk bëhet fjalë për të qenë hipokritë ose për të pëlqyer personat me të cilët nuk jemi dakord por vetëm për të praktikuar mirësjelljen dhe edukatën që prindërit na kanë mësuar që fëmijë.

Kur trajtojmë mirë dikë që nuk e kemi shumë qejf dëshmojmë se jemi persona të pjekur dhe inteligjentë. Përveç kësaj, mund të jemi shembull edhe për ata që, në të kundërt, sillen në mënyrë të pahijshme.

Mirësjellja nuk bën përjashtime dhe duhet mbrojtur, veçanërisht në botën në të cilën jetojmë, ku edukata e keqe apo keqdashësia janë në rendin e ditës. Por nëse jemi tolerantë dhe respektues edhe kundrejt personave që nuk na pëlqejnë, atëhere ne mund të bëjmë diferencën.

Të jemi të sjellshëm na bën ne persona më të mirë e më të fortë.

Për këtë, kur diskutojmë me një person që nuk na pëlqen, duhet të mësojmë të dëgjojmë dhe të vendosim gjithsesi një raport empatik, duke kërkuar që të elaborojmë mesazhe pozitive dhe të jemi konstruktivë, duke evituar kundër argumentet negative.

Mirësjellja duhet të kthehet në një mënyrë jetese, një sjellje ndaj çdo qenieje  tjetër.

Një buzëqeshje, një fjalë e mirë, një veprim…

Mund të bëjmë shumë për t’u ndjerë krenarë për veten dhe ta bëjmë ditën më pozitive.

Sjelljet tona duhet të jenë reflektime të parimeve tona. Të mësojmë t’i mbajmë në kontroll, t’i përqendrojmë energjitë tona në projekte dhe në ide për të ardhmen dhe të mos humbasim kohë të mësojmë apo mendojmë fyerje apo negativitete. Jeta është vetëm një dhe koha që humbasim nuk na kthehet pas.

Të mençurit thonin: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje që tjetri të bëjë ty”.

Të jesh i sjellshëm është një dhunti e duke qenë e tillë, i dhurojmë diçka, jo vetëm atij që e merr por edhe vetes sonë….