Pse i urrej indiferentët, mesazhi i Antonio Gramshit që është aktual edhe sot

Të jetosh do të thotë të marrësh anë, thoshte dikur Antonio Gramshi (1891-1937), themeluesi i Partisë Komuniste në Itali, i lindur në Ales më 22 janar 1891 dhe vdekur në Romë më 27 prill 1937. Një nga shkrimet e tij më të famshme, mban titullin emblematik “I urrej indiferentët”.

Ai u botua për herë të parë në revistën “La città futura”. Gramshi shpjegon se përse indiferenca e njerëzve është një nga të këqijat më të mëdha të një shoqërie. Ai e shkroi këtë ese në vitin 1917, kur Lufta e Parë Botërore nuk kishte përfunduar ende, dhe kur tensionet politike e sociale ishin shumë të forta.

Por fjalët e tij kanë një vlerë, e cila shtrihet përtej kontekstit historik në të cilin u konceptuan. Gjërat ndodhin nën një indiferencë të përgjithshme, dhe ne ankohemi zakonisht vetëm në retrospektivë, kur është tepër vonë. Teksti i plotë i shkrimit të 105 viteve më parë:

“Indiferenca është pesha e vdekur e historisë. Është goditje plumbi për inovatorin, është materia inerte, në të cilën shpesh mbyten entuziazmat më të ndritura, është këneta e kufomave të qytetërimit të vjetër, të cilin e ruan atë më mirë se sa muret e fortesave, më mirë se sa gjoksi i luftëtarëve të saj, sepse ajo gëlltit trimat në thellësitë e tokës së etur, i shkatërron dhe i dekurajon ata, nganjëherë i bën ata të tërhiqen nga ndërmarrja e tyre heroike.

Indiferenca vepron fuqishëm në histori. Ajo vepron në mënyrë pasive, por vepron. Ajo është fataliteti. Ajo është e tillë që të lë pa mbështetje. Ajo është e tillë, që të çorganizon programet, t’i përmbys planet e ndërtuara më së miri; është materia e papërpunuar që rebelohet me inteligjencën dhe e ndrydh atë. E keqja më e madhe që buron prej saj është se në vënd që të ketë përfitim nga një akt me vlera të mëdha për njerëzimin, ka humbje, për shkak të indiferencës së një grupi qe vepron me mospjesëmarrjen e tij, me mungesën e tij numerike…[…].

Aktivisti politik, gazetari, kritiku teatral dhe letrar, mendimtari kryesor i lëvizjeve punëtore në Torino, udhëheqësi i atëhershëm i Partisë Komuniste Italiane, Antonio Gramsci pati një jetë të shkurtër, por jetoi në mënyrë aktive. Ai vdiq në moshën 46-vjeçare, i dobësuar nga vitet që kaloi në burg nën regjimin fashist. La pas një punë të paorganizuar dhe pa formë, përfshi gjithë korrespondencën, artikujt e gazetave dhe shkrimet në burg. Kjo trashëgimi pati një ndikim të thellë në jetën intelektuale dhe politike në Itali, në Evropë dhe gjetkë. Ndërsa pretendon të jetë marksist, Gramshi kupton rëndësinë e ideve, kulturës dhe kompromisit politik në zaptimin e pushtetit. Ai kritikon materializmin dhe idealizmin e një marksizmi “ortodoks” dhe hedh poshtë idenë e ekonomizmit të pastër dhe determinizmit historik.

Filozofi italian është pjesë e trashëgimisë intelektuale të Evropës. Ai ka farkëtuar mjete të dobishme sot për të analizuar botën, për të kuptuar sesi njerëzit e shohin atë dhe marrin pjesë në jetën shoqërore, si individët dhe mediat bashkëveprojnë, si përfaqësimet dhe identitetet formohen vazhdimisht dhe në mënyrë magmatike. Ndryshe nga intelektualët e tjerë marksistë të kohës, Gramshi i dha rëndësi të madhe kulturës, sesa ekonomisë dhe politikës. Kontributet e tij shërbyen për krijimin e një komunizmi demokratik, i cili më vonë u quajt eurokomunizëm.

Në shkrimet e Antonio Gramshit gjejmë jo vetëm një mendim të rregullt dhe të thellë, por edhe një mënyrë pasionante dhe poetike të shprehjes së vetvetes. Ishte intelektuali që dinte t’u jepte kuptim ideve përmes fakteve konkrete. Citimet e Antonio Gramshit kanë një bukuri tejet të veçantë. Thuajse të gjitha kanë pak politikë, pak filozofi dhe pak poezi. Pra, shkrimet e tij përfaqësojnë kryekëput atë çka ai ishte: një intelektual i gjithanshëm, i kompletuar dhe i apasionuar.