Pozita dhe opozita janë bashkuar duke përçuar mesazhe unifikuese nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Me ashpërsinë më të madhe partitë parlamentare kanë dënuar sulmin terrorist të Serbisë mbi Policinë e Kosovës në veri të Kosovëst. Deputetët e të gjitha partive sot kanë votuar PËR rezolutën e cila kërkon hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë për mbështetjen e sulmit të së dielës që ka lënë të vrarë policin Afrim Bunjaku dhe të plagosur Alban Rashiti.
Ata kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin e këtij sulmi terrorist.
“Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike; Konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”, thuhet në tekstin e rezolutës, e cila është miratuar me 97 vota në seancën e sotme të Kuvendit.