Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka bërë thirrje që masat e marra pas krizës së verës së shkuar të hiqen.
Masat duhet të hiqen sepse kemi dëm kolateral dhe kryetarët e komunave të cilët dëshirojnë të aplikojnë për fonde të Bashkimit Evropian janë duke vuajtur për arsye të këtyre masave. Unë jam kundër dhe do të jem kundër dhe shpresoj që të largojmë këto masa sa më shpejt që të është e mundur. Jo të gjithë janë të lumtur me performancën, me të drejtë mendoj se duke krahasuar me shtetet tjera nuk është fer fare, citohet ajo nga mediat e Kosovës.
Masat e marra nën drejtimin e kreu të Politikës së Jashtme të KE-së, Borrell, thuhet se i kanë kushtuar Kosovës 300 milionë euro. Ndërkohë ajo ka ngritur shqetësimin për zgjedhjet e reja europiane dhe rezultatet e mundshme të tyre në raport me Kosovës. Sipas saj, problem është presidenca hungareze që pason në pjesën e dytë të vitit.
Një kompozim i ri i Bashkimit Evropian mund të ketë efekt direkt në relacion me Kosovën dhe shtetet tjera të cilat potencialisht mund të jenë edhe shtete kandidate të Bashkimit Evropian. Çfarë është brengosëse për mua është që në pjesën e dytë të vitit 2024 do të kemi presidencën Viktor Orbán të Hungarisë dhe do ta kemi edhe parlamentin e ri. Ku nuk e kemi një fotografi të qartë të shumicës së qartë të përkrahjes sa i përket Kosovës, tha ajo.