Telekomi i Kosovës njofton se është paraqitur kërkesa për fillimin e hetimeve për keqpërdorime në rastin me Dardafon, i njohur si Z-Mobile.

Sipas Telekomit, kjo kërkesë është iniciuar ndaj personave, zyrtarë të lartë të kompanisë dhe personave privat, të cilët sipas tyre duke lidhur kontrata e kanë dëmtuar kompaninë në total prej mbi 100 milionë euro.

“Kjo kërkesë është iniciuar ndaj personave, zyrtarë të lartë të kompanisë dhe personave privat, të cilët duke: lidhur kontratë të dëmshme, fshehur dhe manipuluar të dhëna dhe prova, paraqitur deklarata të rrejshme, me veprimet dhe mosveprimet e tyre e kanë dëmtuar Telekomin e Kosovës në periudha të ndryshme kohore dhe kësisoj kanë kryer vepra penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Telekomit.

“Të njëjtit kanë iniciuar, hartuar, nënshkruar dhe gjatë kohës së zbatimit të kontratës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar ose edhe e kanë fshehur dëmin që ishte duke shkaktuar kontrata, duke mundësuar kështu dëme të pariparueshme qindra milionëshe ndaj Telekomit si dhe dëmtim të buxhetit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, nga sa u tha më lartë, nuk përjashtohet mundësia që zyrtarët e Telekomit të Kosovës, në forma të ndryshme mund të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme nga kontrata e dëmshme për Telekomin e Kosovës, nga e cila u shkaktua dëmi në total prej mbi 100 milionë euro”, vijon njoftimi.

Kompania thekson se kërkesa për fillim të hetimeve është paraqitur sepse kishte dyshime të kryerjes së veprave penale, të cilat sipas Kodit Penal të Kosovës ndiqen sipas detyrës zyrtare.

“Si pasojë, të njëjtit i kanë shkaktuar humbje Telekomit të Kosovës dhe buxhetit të Republikës së Kosovës: Humbjet komerciale nga zbatimi i kontratës, që llogariten në vlerë rreth 102 milionë euro; Humbjet direkte si pasojë e pamundësisë së zbatimit të kontratës në vlerë rreth 51.4 milionë euro (Vendimet e arbitrazheve); Humbjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së vitit 2017; dhe Humbjet e buxhetit të shtetit të Republikës së Kosovës, në vlerë rreth 16.2 milionë euro, si pasojë e shmangies së tatimit nga Dardafon.net LLC”, përfundon Telekomi.