Me ardhjen e dimrit shtohen mundësitë për acar dhe temperatura të ulëta. Ekspozimi ndaj të ftohtit mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin. Sipas Institutit të Shëndetit Publik mund të merrni disa masa për t’u mbrojtur nga temperaturat e ulëta. Më poshtë janë radhitur disa prej ketyre masave.
Çfarë duhet të keni parasysh kur qëndroni në mjedise të jashtme, të ftohta?
- Përdorimi i veshjeve të lirshme, të lehta, të ngrohta, të papërshkueshme nga uji.
- Veshja e xhupave rezistentë ndaj erës dhe shiut, kapelë, doreza, këpucë kundër ujit.
- Mbulimi i gojës me shall për të mbrojtur mushkëritë.
- Heqja e rrobave të lagura dhe mbështjellja e trupit me një batanije.
- Hidhni rërë ose materiale të tjera të rekomanduara në zonat ku ka ngricë.
- Lexoni rregullat e sigurisë për ambientet e jashtme.
- Lëvizni ngadalë kur kryeni punë/detyra në ambiente të jashtme.
- Dilni të shoqëruar dhe mos harroni të merrni celularin.
Cilët janë personat më të rrezikuar nga i ftohti?
- Të moshuarit pa ushqim, pa veshje të përshtatshme ose pa ngrohje.
- Personat që qëndrojnë jashtë për periudha të gjata (të pastrehët, policët rrugorë, gjuetarët etj.).
- Fëmijët
- Personat që konsumojnë shumë alkool ose që përdorin droga të paligjshme.
- Foshnjat që flenë në dhoma të ftohta
Meqë fëmijët janë ndër më të rrezikuarit nga i ftohti, në mënyrë që ata të jenë sa më të sigurtë, këshillohet:
- vishini në mënyrë të përshtatshme për të përballuar të ftohtin;
- zgjidhni për ata veshje të lehta dhe të brendshme pambuku;
- nuk rekomandohen veshje të tepërta;
- mbajini në mjedise të ngrohta.
Nëse keni për të udhëtuar, atëherë duhet të keni parasysh:
- Shmangni në maksimum lëvizjet me mjete motorike.
- Informohuni në vazhdimësi për vendin ku do të lëvizni, motin, reshjet dhe temperaturat.
- Kontrolloni gjendjen teknike të mjetit, karburantin, paketën e ndihmës së parë, pajisjet ndriçuese, gomat.
- Siguroni veshje të përshtatshme për udhëtimin.
- Tregoni kujdes për shpejtësinë gjatë lëvizjes me makina.
- Vendosni fëmijët në vende të përshtatshme, në ulësen e posaçme dhe të lidhur me rrip sigurie.
- Siguroni që aparatet e celularit të jenë të ngarkuara dhe me bateri rezervë.
- Mos tentoni të kaloni me mjetin tuaj në vende të dyshimta, me pellgje uji, në vende me akull, me rrezik të lartë rrëshqitje.
Simptomat e ekspozimit ndaj motit të ftohtë:
- Konfuzioni, marramendja dhe rraskapitja janë shenja të një hipotermie të mundshme.
- Zbehja e lëkurës në gri, e bardhë ose e verdhë, mpirja ose lëkura e zbehtë janë simptoma të shkaktuara nga ngrica.