Tërmeti i nevojshëm politik

Boken Abazi

Mes dhimbjes për jetët e humbura dhe pasgoditjeve sizmike që nuk kanë të ndalur, e vetmja mënyrë për t’i nderuar të vdekurit e për t’i dhënë shpresë të gjallëve është të thuhet e vërteta: më pak njerëz janë vrarë në këtë katastrofë nga tërmeti se ç’janë vrarë nga sistemi i ngritur mbi pabarazinë e skajshme, shkatërrimin e shërbimeve dhe instituteve publike, degradimin e kontrollit publik teknik të ndërtesave, rrënimin e kapaciteteve të forcave të emergjencës dhe ushtrisë, dhe në përgjithësi nga xhungël kapitalizmi ku më të fortit rrisin fitimet që paguhen nga më të varfërit deri me jetën e tyre.

Kaosi i autoriteteve pas tërmetit nuk ka të bëjë me inkompetencën, por me praktikat e këtij sistemi të rrënjosura te shkatërrimi i shtetit të mbrotjes dhe përkujdesjes sociale.

Ka shumë njerëz në nevojë ende sot, por nuk ka asnjë informacion zyrtar shtetëror mbi këto nevoja. Përkundrazi, ka një tentativë të vazhdueshme për t’i fshehur nevojtarët, si të mos ishin njerëz por pisllëk që futet me fshesë poshtë tapetit që të mos duket. Nuk duhet harruar se plot prej tyre ishin në nevojë edhe para tërmetit, të zhytur në varfëri, me shtëpi aq të amortizuara, ose ndërtuara keq, sa nuk u duhej tërmeti për të dëshmuar se ishin të pabanueshme. Asgjë nuk po thuhet publikisht e zyrtarisht për nevojat e njerëzve që rrinë në Shijak e në Manëz, e në plot vende të tjera. Asgjë nuk u tha për qindra forca të Policisë që kanë qenë me turne të stërzgjatura në shërbim pa iu siguruar as ushqim të shëndetshëm. Po, Shqipëria është e varfëruar tej mase dhe skajshmërisht e pabarabartë.

Menjëherë pas tërmetit forcat e shtetit në Thumanë nuk kishin as mjetet më bazike të kërkim shpëtimit, edhe pse vullneti nuk u mungoi në asnjë çast, duke vendosur edhe veten në rrezik për të shpëtuar jetët e atyre nën rrënoja. Ndërsa në 24 orët e para pas tërmetit, autoritetet nuk dinin as se ku mund të magazinoheshin ndihmat që vinin në solidaritet nga të katër anët.

Nuk u mor vesh asnjëherë zyrtarisht e publikisht se sa kampe u ngritën e sa njerëz pati te secili kamp. Natën e parë, disa përgjegjës për ngritjen e kampeve jo vetëm që NUK kishin ngritur kampin por as nuk i përgjigjeshin në telefon atyre që donin të ndihmonin, apo edhe epërorëve të tyre. Nuk e di nëse më tronditëse ishin dridhjet e tërmetit apo fakti se aparati shtetëror ishte aq afër rrënimit të plotë. Të gjitha ato shërbime publike që janë goditur që herët edhe ashtu rëndë nga xhungël kapitalizmi shqiptar, si energjia elektrike, uji i pijshëm, shërbimi shëndetësor, etj., morën një goditje gati fatale në 24 orët e para pas tërmetit, sepse kur nuk i ke mirëmbajtur, financuar e zhvilluar këto shërbime në ditë normale, nuk ka se si ato të rezistojnë në një ditë krize.

Një pjesë e mirë e vdekjeve të këtij tërmeti nuk kanë lidhje me natyrën apo me Zotin, por me sistemin dhe kastën sunduese në Shqipëri. Nuk ishte natyra dhe Zoti përgjegjës për mungesën e kontrollit tektnik të objekteve në gjendje të pabanueshme, dhe as nuk mund ta fajsosh natyrën dhe Zotin për mungesën e mjeteve bazë të kërkim shpëtimit. Xhungël kapitalizmi shqiptar e bëri këtë, bashkë me kastën sunduese që ka ngritur këtë sistem.

Tash, të njëjtit që na kanë sjell te kjo situatë duan bashkim në solidaritet (me ta) pa mbajtur asnjë përgjegjësi për krimet dhe papërgjegjësinë e tyre direkte ose indirekte me vendimet dhe (mos)veprimet e tyre. Thërrasin për transparencë, fshehin nevojat dhe publikimin zyrtar të dëmeve, dhe ngrejnë komitete rindërtimi me shoqata pa bërë transparente kriteret e përzgjedhjes së pjesëtarëve të këtyre komiteteve – mbase thjesht nuk i kanë dashur kriteret, sepse ndryshe nuk i merr dot të gjitha vendimet njëshi. Këta që na sollën në këtë situatë, këta duan të drejtojnë rindërtimin dhe të vendosin drejtësi?

S’ka nevojë të jesh orakull për të kuptuar se me këtë kastë sunduese e me këtë sistem neoliberal që na pruri në këtë pikë, gjithë kjo katastrofë do pasohet me më shumë shkurtime në shërbimet publike – arsimin, shëndetësinë, etj. – me më shumë privatizime e PPP, me më shumë shkelje të të drejtave të njeriut, me më shumë fonde rindërtimi për oligarkinë, dhe me më shumë pabarazi e padrejtësi për shumicën e shqiptarëve. Keshtu do të ndodh nëse ne e lejojmë, ose do të organizohemi në mënyrë që tërmeti natyror i radhës mos të na gjejë më të papërgatitur, pa ndodhur së pari në Shqipëri një tërmet politik.