Shtypja e minatorëve në Bulqizë është shkelje ndaj nesh si shoqëri

Kromi është pasuri kombëtare e shqiptarëve, por përmes koncensioneve dhe PPP-ve, po përdoret për të pasuruar vetëm një grusht biznesmenësh. Shtypja e punëtorëve në minierat e kromit në Bulqizë e Martanesh është një plagë e vjetër dhe e thellë në trupin e shoqërisë shqiptare. Ajo lëndon më së shumti njerëzit më në nevojë, minatorët që detyrohen ta rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë nëpër galeri që nuk plotësojnë as kushtet minimale të punës. Kujtojmë se në zonën e Bulqizës dhe Martaneshit kanë humbur jetën në miniera 27 minatorë prej vitit 2014, dhe shumë të tjerë kanë mbetur të lënduar në vendin e punës. Në vend që të ndalet ky krim e të ndërmerren masa për ta shëruar këtë plagë, biznesi i madh dhe organet e shtetit po e hapin atë edhe më thellë.

Më 30 dhjetor 2014, KM Edi Rama në një konferencë për shtyp i bëri thirrjen në vijim investitorëve të huaj: “Hajdeni në Shqipëri se këtu nuk ka sindikata”. Është e vërtetë se një pjesë e sindikatave të vjetra “që nuk të besdisin” janë të lidhura me pushtetin dhe korporatat e mëdha, dhe për pasojë nuk e ngrejnë zërin për të drejtat e punëtorëve. Por është gjithashtu e vërtetë se në Shqipëri ka edhe sindikata të reja, që nuk janë të kapura, e që po sulmohen që të eliminohen. I tillë është rasti i “Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës” që u themelua këtë vit në nëntor.

Menjëherë pas themelimit të sindikatës, kompania “AlbChrome”, me pronar kryesor Samir Manen, shkarkoi nga puna kreun e sindikatës Elton Debreshi. Për ta kundërshtuar këtë vendim minatorët u hodhën në një grevë 9 ditore që nisi në datën 25 nëntor. Pas përfundimit të grevës kompania shkarkoi edhe tre punëtorë të tjerë sindikalistë: Beqir Duriçin, Behar Gjimin, dhe këtë javë edhe Ali Gjetën. Më tej, sindikalistët kanë treguar se kompania ka vazhduar të marrë në pyetje në Tiranë dhe Bulqizë me dhjetra minatorë sindikalistë të tjerë për t’u bërë presion e për t’i kërcënuar me largim nga puna. Veprimet e kompanisë janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që njeh të drejtën e organizimit të punëtorëve në sindikata, si dhe në shkelje të Kodit të Punës në Shqipëri dhe të Konventës Ndërkombëtare të Punës të ratifikuar nga Shqipëria. Megjithatë, vetëm këtë javë, inspektoriati i punës ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj këtyre shkeljeve, ndërkohë që u shkarkua punëtori i katërt.

Është e qartë se përveç kompanisë “AlbChrome”, e cila zotëron pjesën e madhe të tregut, ka në këtë zonë edhe kompani të tjera që janë duke shkelur të drejtat e punëtorëve. Zëri i punëtorëve të këtyre kompanive të tjera nuk po dëgjohet sepse aty mungon organizimi i sinqertë sindikal. Megjithatë, fakti që në Bulqizë ka edhe kompani të tjera që shkelin të drejtat e punëtorëve, nuk mund të shërbejë si arsye që “AlbChrome” të vazhdojë t’i shtypë punëtorët. Organet e shtetit do duhej t’i mbronin të gjithë punëtorët dhe të ndiqnin me vëmendje maksimale edhe shkeljet e çdo kompanie tjetër në atë zonë, e jo të ndjekin penalisht minatorët që kanë qenë në një grevë krejtësisht paqësore dhe në përputhje me ligjet në fuqi.

Deklarata mbështetëse për minatorët e Bulqizës kanë ardhur edhe nga Kosova, përfshirë Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Sindikatën e Re të Korporatës Energjitike të Kosovës dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Gjithashtu, mbështetje zyrtare ka dhënë edhe Instituti Botëror i Punës, dhe sindikata të tjera punëtorësh nga vende të ndryshme të botës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i dënon aktet e ndërmarra kundër punëtorëve sindikalistë të minierave të kromit në Bulqizë dhe kërkon rikthimin në punë të katër sindikalistëve. Ne kërkojmë nga organet e shtetit të kryejnë detyrën e tyre për të detyruar “AlbChromin” dhe çdo kompani tjetër, të ndalë pushimet e jashtëligjshme nga puna, dhe të ndalë presionet dhe kërcënimet kundër minatorëve. Shprehim gatishmërinë tonë për t’i dhënë punëtorëve të pushuar nga puna asistencë juridike, dhe për të mbështetur sindikalistët me hapa të tjerë organizativë në terren, në mbrojte të të drejtave të punëtorëve.

Në solidaritet.

Tiranë, 27 dhjetor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri