Deklaratat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, rreth një propozimi për kontrollin e Rripit të Gazës nga SHBA dhe zhvendosjen e palestinezëve që jetojnë atje janë “të rrezikshme për stabilitetin dhe procesin e paqes”, tha një zëdhënëse e qeverisë franceze.
“Franca është plotësisht kundër transferimeve të popullsisë”, tha Sophia Primas, duke theksuar se Franca po i përmbahet politikës së saj – nuk ka transferime të popullsisë dhe kërkon një armëpushim të përkohshëm duke lëvizur drejt një procesi paqeje dhe një zgjidhje me dy shtete, izraelite dhe palestineze.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, ripohoi se palestinezët duhet të “jetojnë dhe të lulëzojnë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor”, duke reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Trump për një kontroll të mundshëm amerikan të Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock deklaroi se Rripi i Gazës “i përket palestinezëve, ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jeruzalemi Lindor, dhe duhet të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez”.
“Popullsia civile e Gazës nuk duhet të dëbohet dhe Gaza nuk duhet të pushtohet ose rikolonizohet përgjithmonë”, tha Baerbock në një deklaratë.
Turqia, “Jo” e prerë kundër Trumpit për Gazën
Ka ardhur dhe “jo”-ja e Turqisë ndaj planit të presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e popullsisë në Rripin e Gazës.
“Deklarata e Trump për Gazën është e papranueshme”, tha Hakan Fidan në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu. “Dëbimi i (palestinezëve) nga Gaza është një çështje që as ne dhe as vendet e rajonit nuk mund ta pranojmë. Nuk ka asnjë mënyrë dhe ne as do ta diskutojmë atë,” insistoi ai.
Fidan paralajmëroi se çdo plan që i lë palestinezët “jashtë zgjidhjes” do të çojë në më shumë konflikt. Ai shtoi se Turqia do të rishikojë masat që ka marrë kundër Izraelit, si tërheqja e ambasadorit dhe ndërprerja e marrëdhënieve tregtare, nëse ndalojnë vrasjet e palestinezëve dhe ndryshojnë kushtet e tyre të jetesës.
Arabia Saudite rrëzon planin e Trump
Arabia Saudite ka hedhur poshtë planet e presidentit amerikan Donald Trump për të dëbuar palestinezët nga Gaza. Arabia Saudite ripohoi qëndrimin e saj të gjatë se palestinezët duhet të kenë shtetin e tyre të pavarur.
“Arabia Saudite do të vazhdojë përpjekjet e saj të pandërprera për të krijuar një shtet të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe nuk do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa këtë”, tha Ministria e Jashtme Saudite në një deklaratë.
Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë i referohet fjalimit të Princit Mohammed bin Salman në Këshillin Shura më 18 shtator 2024, ku ai theksoi se Arabia Saudite do të vazhdojë punën e saj të palodhshme për të krijuar një shtet të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, duke shtuar se Mbretëria nuk do të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin pa këtë.
Gjatë samitit arabo-islam në Riad më 11 nëntor 2024, Princi i Kurorës Salman konfirmoi vazhdimin e përpjekjeve për krijimin e një shteti palestinez dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të territoreve palestineze.
Ai gjithashtu u bëri thirrje më shumë vendeve që të njohin shtetin e Palestinës, duke theksuar rëndësinë e mobilizimit të bashkësisë ndërkombëtare në mbështetje të të drejtave të palestinezëve, të cilat shprehen në rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke e konsideruar Palestinën të përshtatshme për anëtarësim të plotë në këtë organizatë botërore.
“Mbretëria e Arabisë Saudite gjithashtu thekson refuzimin kategorik të shpallur më parë të çdo shkeljeje të të drejtave legjitime të popullit palestinez, qoftë përmes politikave izraelite të vendbanimeve, aneksimit të territoreve palestineze, apo përpjekjeve për të zhvendosur popullin palestinez nga toka e tyre”, shtohet në deklaratë.
Trump deklaroi se ai dëshiron të marrë kontrollin e Gazës së shkatërruar nga lufta, të zhvendosë banorët e saj dhe ta kthejë atë në “Rivierë të Lindjes së Mesme”.