Janë tri letra të rralla, private, që dalin për herë të parë në një botim, mbi dokumente e letra që trashëgimtarët e Mustafa Krujës kanë nxjerrë në dritë. Bëjnë fjalë për një ngjarje të pazakontë në parlamentin turk, kur ishte deputet edhe Ismail Qemali.

Pas shpalljes së pavarësisë Shqipëria kalon në momente të tjera akoma edhe më të vështira. Lufta e brendshme për zgjedhjen e formës së regjimit ndan personalitetet e kohës. “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”, një tjetër botim skrupuloz i Eugjen Merlikës, nga arkivi vetjak me dokumente të Krujës. Dokumentet janë te renditura në tre grupe, që i referohen tri periudhave e ngjarjeve të ndryshme. Grupi i parë është më i bollshmi dhe paraqet dokumente të periudhës 1908 – 1914, i dyti me materiale të botuara në një libër artizanal në Romë më 1919 me titull “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes” dhe i treti titullohet “Përshpagimet shqiptare” dhe është marrë në Arkivin Qendror të Shtetit në dosjen e Mustafa Krujës, dokumente të vitit 1941. 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Grupi i parë i dokumenteve historikë, i përkasin një periudhe tashmë të largët, viteve 1908 – 1914, rreth njëqind vite të shkuara, një periudhë tepër e rëndësishme e qenies sonë si komb, para e mbas shpalljes së Pavarësisë e krijimit të të parit shtet shqiptar. Janë materiale të marra nga një botim i posaçëm i revistës Leka të vitit 1942, në kuadrin e 30-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Materialet përbëhen nga letra, telegrame, qarkore, thirrje, peticione, kërkesa të ndryshme që mbajnë firmat e gjithë protagonistëve t’atyre viteve e ngjarjeve të tyre. Nëpërmjet tyre lexuesi do të njihet me historinë e vërtetë t’asaj kohe shumë të trazuar, do të gjejë radiografinë e një realiteti, për të cilin ka mësuar shumë pak gjëra në shkollë. Do të ketë parasysh kuadrin e Shqipërisë së njëqind viteve më parë, problemet dramatike që përballonte çdo ditë në jetën e saj, shkëmbinjtë e stërmëdhenj që duhet të kapërcente në rrugën e saj, mundin titanik t’atyre bijve që u munduan t’i venë themelet.

17 mars 1911
Xhemal Belegu, nga Stambolli, Mustafa Krujës, në Durrës. Ekstrakt letre private. Tyrqisht. Mbi nji shputë qi i rá nji Tyrk i Ri Ismail Kemalit në Parlament.
….Javën qi shkoi kur po bisedohej bugjeti në parlament Ismail-Kemal Beu i preu fjalën Zit Zohrab qi po bânte nji ligjiratë. Fjala e tij u muer vesht keq dhe i u vërsulën Sadrazemi me gjithë Ministrat e Financavet e të Punve të Jashtme. Nga nji tjetër anë i u afrue edhe nji farë Dervish Beu, deputet i Serezit. Dhe pa prit’e pa kujtue ky i fundit i ra nji shuplakë. I ndershmi plak veç ksaj hângri edhe sa e sa të fyeme tjera. Aqë sa thonë se deputeti qi i pat thânë kabinetit “egërsinë” s’ka pasun as nji të qintën e atyne të shameve. Mbas nji mbledhjeje qi u bâ menjiherë në zyrën e kryesís deshën t’i gjejnë nji mënyrë për me i vûmë kapak punës. Fletoret shkruen nesret se… Ismail-Kemal Beu e kishte marrë fjalën mbrapa dhe kështu çâshtja ishte mbyllun. Këtë lajm Ismail-Kemal Beu e përgënjeshtroi tue protestue me nji telegrafë të gjatë qi i dërgoi kryesís e qi e botoi dhe shtypi. Në javën tjetër u mblodhëm në klub dhe i çuem ndënkryesís së “ Partís së Liberalvet moderatë” (Mutedil Ahrar Firkasi) telegrafën qi do të keshë këndue në gazetën “Shqiptari”. Shtypi shkruen se partija do të marrë inicjativën për me e ndrequn këtë punë. “Shqiptari” u pushue nga shkaku i nji kryeartikulli t’ashpër qi shkroi mbi këtë çâshtje.

Xhemaledin
31 maj 1911
Mehmet Ismet Çano, nga Stambolli, Mustafa Krujës, në Durrës. Ekstrakt letre private. Tyrqisht. Mbi shputën qi muer Ismail Kemali në Parlamentin tyrk. 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress


Stamboll, 18 Maj 327
… Kur erdha në Stamboll gjithkush kishte në gojë urdhnin qi u kishte dhânë katër vilajetevet për t’u lânë e lirë hapja e shkollavet shqipe, të cilat mâ parë qenë mbyllun; kët’urdhën e kishte dhânë ministri i rí i punvet të mbrêndshme, juristi Halil Beu, qi ka zânë vêndin e Talat Beut. Me të vërtetë të gjithë ishin gzue nga ky urdhën. Por nënpunsit e interesuem si prefekti i Korçës, ndën influencën e asaj fuqíje qi din, nuk i a vûnë aspak veshin urdhnit të Ministrit të Mbrêndshëm qi na ish dukun se e kishte për njimênd. Dhe kështu u bânë shkak të vazhdojë gjithnjí ai deshprim i ynë qi kishim mâ parë. Erdh mbandej edhe të fyemit qi i u bâ Ismail – Kemal – Beut qi na helmoi edhe mâ tepër. Me javë nuk u bisedue tjetër në mes t’onë posë ksaj së fyemje. Mâ në fund, sikurse do t’a keshë këndue ndër fletore, çâshtja u zgidh disí në favor t’Ismail – Kemal – Beut. Âsht e ditun se kjo zgidhje nuk i përshtatet asaj qi kemi deshirue na. Burrníja e diftueme prej Hasan Beut në këtë rasë ka vjeftun me na ngushullue disí zêmrat e pikllueme…

15 gusht 1911
Kryeministrija tyrke Ministrís së Mbrêndshme. Shkresë qeveritare. Tyrqisht. Mbi shkollat shqip e mbi shkrolat e shqipes.

Me 2 gusht 1327 N.1193
Përgjegje letrës së Shkëlqesës s’Uej me 18 korrik 327, N. 42750 i përgjithshëm e 1239 i posaçëm. Sikurse e dijni mbarshtimi i shkollave fillore u përket komunitetevet. Pra mbasi qeverija ka pranue parimin e mësimit ndër ato shkolla private fillore me shkrolat dhe gjuhën e komunitetit qi i ka hapun, edhe gjuha shqipe mund të mësohet ndër shkolla private me çfardo shkrolash qi të duen t’interesuemit.

Me gjithë këtê Shqiptarët nuk janë ende të marrë vesht ndër vete se ç’farë gërmash do të përdorin për shkrimin e gjuhës së tyne kombtare. Shqiptarët e krishtenë dhe popullsít myslimane të disa viseve janë për pranimin e shkrolavet latine, kurse krejt Gegníja e Çamríja, si edhe nji pjesë e Toskvet myslimanë, pra shumica e madhe e popullit shqiptar mohamedan anojnë për pranimin e shkrolavet islamike. Kjo çâshtje madje, në vjetin e kaluem, ka mbërrîmë me pasun konsekvenca deri për qetín e vêndit. Mb’anë tjetër, nji gjykesë fetare e përparshme ka pasë caktue si parim qi i shênjti Kuran dhe doktrinat islamike nuk mund të mësohen veçse me gërmat arabishte. Prandej për me ruejtun besimin të pacenuem âsht punë e domosdoshme dhe nji nevojë fetare qi n’ato shkolla ku mësimi bâhet me gërmat latine nxânësvet t’u mësohen edhe tjerat. Me gjithë qi qeveríja, sikurse pat qênë vêndue edhe mâ parë në nji mbledhje të posaçme, nuk do të përzihet në këtë çâshtje, kuptohet vetiu qi s’ka si me njohun për të vetmet shkrola kombtare të gjuhës shqipe ato gërma latine qi vetë shumica e madhe e Shqiptarvet s’i ka pranue. Âsht punë e nevojshme pra qi kudo të lêhet i lirë populli me mësue në dasht me shkrolat islamike në dashtë me gërmat latine. Veçse në këtë rasën e dytë t’i vêhet mêndja me u ruejtun të pacenueme mësimet e fés myslimane e të Kuranit simbas gjykesës së shênjtë fetare. Dhe mbasi librat e mësimit me shkrola latine mâ e shuma janë hartue e shtypun prej kishtarís austrijake e italjane e prej komitetit të Bukureshtit, duhet vûmë shumë kujdes qi nëpër shkollat e myslimanvet mos të mësohet gjâ në kundrështim me doktrinat islamike. Meritojnë lavd edhe mundimet e atyne qi përpiqen me i ruejtun të pastra nga çdo njollë gjuhën dhe fén e Shqiptarvet myslimanë, aqë në zâ për besnikín e tyne ndaj besimin, tue e shkrue gjuhën shqipe me gërmat arabishte. Shkurt, u përket Shqiptarvet me peshue e me çmue cilsít e njânës palë shkrola e të tjetrës, dhe me zgjedhun ato qi t’u pëlqejnë. Qeveríja do të respektojë ndiesít e popullit. Porse nuk âsht e mundun mos me e çmue edhe dobín e madhe fetare qi kishte me rrjedhun prej njisís së shkrolave ndër gjithë popujt mohamedanë. Të keni mirsin pra me i a shtimë në krye popullit këto sênde edhe me e lânë të lirë të mësojë n’atë mënyrë qi deshiron ai vetë, tue u dhânë edhe porosít e nevojshme atyne qi lypset për me u ruejtun me do e mos sa thotë gjykesa e shênjtë fetare. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress