Pasditen e së mërkurës u raportua për një kërcënim ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hotit, Armend Zemajt dhe Arben Gashit.

E pas raportimeve për këtë kërcënim detaje kanë dhënë edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se janë duke hetuar këtë rast, duke e cilësuar si “kanosje”.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.

Mediat e Kosovës thonë se shërbimet partnere kanë dhënë informacione për planifikimin e një αtentati.

Sipas të njëjtave burime shërbimet partnere të Kosovës kanë zbuluar informacionin dhe madje kanë identifikuar grupin që po planifikonte atentatet. Duke qenë se këto informacione janë konsideruar jashtëzakonisht të besueshme është vendosur të vihen në dijeni krerët e LDK-së dhe organet e rendit.

“Njëri nga deputetët, i cili është objektiv i një atentati të mundshëm, e ku bën pjesë edhe Kryetari Abdixhiku, kanë deponuar krejt informatat që disponojmë në Policinë e Kosovës”.

“Ne besojmë se Policia duhet ta trajtojë me seriozitet këtë rast, meqë informatat dhe shërbimet partnere të Kosovës që kanë arritur deri tek informacionet për atentat ndaj krerëve të LDK’së, janë jashtëzakonisht serioze”, – shtoi zyrtari i LDK-së, që foli në kushte anonimiteti të mërkurën mbrëma.
Siç u raportua në media kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë. Po ashtu këto organe kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie.