Përplasja e ashpër dhe shumë publike midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyn është një katastrofë për Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë dhe një triumf për Rusinë.
Spektakli i presidentit amerikan duke qortuar homologun e tij ukrainas dhe duke i thënë se po luan me Luftën e Tretë Botërore – i transmetuar në televizion nga Zyra Ovale – ishte i vështirë për t’u parë.
Zelensky – që dukej gjithnjë e më në siklet – vendosi të kundërpërgjigjej. Ai ndoshta ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të mbronte veten dhe vendin e tij të shkatërruar nga lufta.
Por ky akt sfidues solli edhe më shumë kritika nga Trump, si dhe nga JD Vance, zëvendëspresidenti, i cili gjithashtu filloi ta sulmonte liderin ukrainas.
Është e vështirë të imagjinohet një kontrast më i madh mes skenave miqësore mes Sir Keir Starmer dhe Trump dhe gjuhës qortuese të përdorur nga presidenti amerikan kundër Zelensky-t, duke e trajtuar atë herë pas here sikur të ishte një nxënës i pabindur.
Presidenti i Ukrainës, me krahët e kryqëzuar, u përpoq të fliste, por ishte qartazi duke humbur betejën. Ky debat i jashtëzakonshëm është shumë më serioz sesa thjesht një dramë për televizion.
Mbështetja amerikane për Ukrainën është jetike nëse Kievi dëshiron të përballojë luftën e Rusisë. Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe aleatët e tjerë evropianë të Ukrainës kanë punuar pa pushim për ta mbajtur Trump-in në anën e tyre.
Presidenti amerikan është zotuar ta përfundojë luftën dhe ka nisur bisedime me Vladimir Putinin. Dy presidentët gjithashtu planifikojnë të takohen. Vetë ky fakt ishte i vështirë për t’u pranuar nga Ukraina.
Por pala ukrainase është përpjekur të punojë me Uashingtonin dhe jo kundër tij, përfshirë edhe gatishmërinë për të ndarë përfitimet nga mineralet dhe burimet e tjera natyrore në këmbim të një partneriteti afatgjatë me Trump-in.
Tani e gjitha kjo duket e hedhur në erë – ose në rastin më të mirë, në rrezik serioz.
Nëse Trump, nga zemërimi, tërheq të gjithë mbështetjen e tij ushtarake për Ukrainën, aftësia e Kievit për të përballuar ushtrinë ruse do të dobësohet ndjeshëm.
Evropianët nuk kanë kapacitetin për të mbushur boshllëkun. I vetmi person që fiton në këtë skenar është Vladimir Putini.