Tokat shqiptare, pra edhe Shqipëria, ka thesare të çmuara që natyra i ka dhuruar për të mbetur e veçantë dhe të krenohet me pasuri të mrekullueshme që nuk gjenden askund në botë.

Qeveria shqiptare ka shpallur para pak ditësh “monument natyre”, një specie të veçantë që bën pjesë në speciet e rrezikuara, që quhet “Tulipani shqiptar” (Tulipa albanica).

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka sjellë sot historikun e kësaj bime, e cila rritet vetëm në Shqipëri.

“Tulipani Shqiptar, monument natyre, i njohur shkencërisht edhe si “Tulipa Albanica” është një bimë 100% endemike shqiptare. Ai rritet në kushte natyrale vetëm në Shqipëri dhe gjendet në një hapësirë të kufizuar në qarkun e Kukësit. Në habitatin e tij, tulipani është në gjendje të egër, në 2 variante i kuq dhe i verdhë si dhe kombinim i tyre”, shkruan AKZM.

Zbuluesit e kësaj specie janë prof as. dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë.

Në botë deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114.

Tulipani shqiptar emërtohet i tillë sepse rritet vetëm në afërsi të fshatit Surroj të Kukësit dhe përbën një lloj të ri endemik për Shqipërinë.

Tulipa Albanica mund të mbillet apo kultivohet bazuar në klimën që i përshtatet.

Që nga koha e zbulimit dhe deri sot është mbjellë dhe vijon të jetojë jo vetëm në zonën e Kukësit por edhe në Kopshtin Botanik të Kopenhagenit në Danimarkë, aty ku ndodhen të gjitha bimët e rralla në botë.