“Turbofolku që dëmton turizmin”

Një 48 vjeçar është arrestuar pasi hoqi me forcë flamurin turk nga një vendrojë detare në Gjirin e Lalzit.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Durrës, pas disa orësh kërkime, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Sh. S, 48 vjeç, banues në Mazrek, Tiranë.

“Kapja dhe arrestimi i tij u bë për arsye se ky shtetas, gjatë kohës që ka qenë në plazhin e quajtur “Gjiri i Lalzit”, ka hequr me forcë nga një vendrojë detare, një flamur të shtetit turk, të cilin më pas e ka hedhur në mënyrë demonstrative në det. Ky veprim është filmuar me celular dhe më pas është postuar në rrjetet sociale, nga ky shtetas” informon policia e Durrësit.

Çohet dikush, pa i thënë askush kurrgjë, në një plazh të Shqipërisë, dhe gris një flamur të një vendi tjetër. Sot ishte ai turk. Nesër është ai grek. Pasnesër ai serb.
Për shembull, aty mund të ishte një grup turistësh që kishin ardhur me flamurin e tyre. Ata janë duke shpenzuar pará në plazhet shqiptare. Kanë ardhur me familjet e tyre dhe kanë zgjedhur bregdetin tonë për të kaluar pushimet. Si shenjë miqësie kanë lënë edhe një flamur diku. I shohim shpesh në qendër të Tiranës shumë turistë me nga një flamur kur ecin.

Ndërkohë, ajo që bëri ky zotëria duartrokitet nëpër komentet e portaleve dhe cilësohet patriotizëm.

Çojeni pak më tej logjikën – sikur të ishin disa serbë turistë në bregdet dhe po dëgjonin muzikë sllave, do i kishte djegur lokalin ky zotëria dhe më pas këta patriotët e Facebookut do thoshin se bëri një akt patriotik.

Patriotët e Facebookut janë të njëjtët që kur shkojnë në dasëm i duan të gjitha këngët patriotike, thua se po nisemi për luftë, jo të bekojmë me dashuri çiftin e ri.

Sikundër u çua ky zotëri i ndikuar nga turbofolku i tipit Fahri Xharra apo Sazan Guri dhe shkon e gris flamurin e një vendi tjetër, nesër e bën dikush tjetër duke i rrahur turistët e huaj. Disa nuk duan serbët, ca nuk duan grekët, e të tjerë nuk duan turqit.

Është për të ardhur keq se çfarë ngjarjesh pushtojnë vëmendjen e rrjeteve sociale dhe ngrejnë peshë emocionalisht shumë njerëz!/Sebastian Zonja/