Në konferencën për shtyp mes dy ministrave të Jashtëm shqiptarë dhe turq, Hakan Fidan dhe Igli Hasani, është evidentuar edhe fakti se në takimin mes të dyve është folur edhe për organzatën FETO në Shqipëri. Pastrim mbeturinash e quajti Fidan grupimin që ka mbetur në Shqipëri, ndërkohë që ministri i Jashtëm Hasani, në prezantimin që ka bërë mbi çështjet e diskutuara nuk e ka prekur FETO-n.

Është për t’u shënuar se sipas ministrit shqiptar takimi bën pjesë në kuadër të dialogut dypalësh në kuadër të partneritetit strategjik, firmosur si deklaratë më 6 janar 2020.

Një element që ka vlerën e vet megjithatë është fakti se Hakan e ka nisur dje në mbrëmje vizitën në Tiranë, më datë 28 janar, me një vizitë në xhaminë ende të painauguruar të Namazgjasë, e ku nuk duket të ketë qenë asnjë përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i konsideruar nga Ankaraja si zgjatim i FETO-s. Një sjellje kjo që dëshmon se për çfarë partneriteti bëhet fjalë dhe se çfarë lloj vendi jemi ne në raport me të tjerët, pavarësisht se financues i xhamisë është shteti turk që ka imponuar edhe projektin.