Forcat ajrore dhe detare turke zhvilluan stërvitje të përbashkëta në Detin Egje, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë të Shtunën, shumë afër territorit grek.

Avionët luftarakë F-16 bënë manovra të përbashkëta me anijet luftarake për “të forcuar, mirëmbajtur dhe përmirësuar aftësinë operacionale të operacioneve të përbashkëta”, njoftoi ministria.

Njoftimi erdhi ndërsa anëtarët e NATO-s, Turqia dhe Greqia po përballen në Mesdheun lindor mbi kërkimet e gazit dhe naftës, dhe një ditë pasi Turqia njoftoi zbulime të rëndësishme të gazit në Detin e Zi.

Dy javë më parë, Turqia dërgoi një anije kërkimi të shoqëruar nga luftanije për të kërkuar në ujërat, ku Greqia pretendon se ka të drejta ekskluzive.

Athina u përgjigj duke dërguar anijet e saj luftarake në zonë dhe duke vënë në gatishmëri ushtrinë e saj. Franca gjithashtu dërgoi anije luftarake dhe aeroplanë për t’u bashkuar me stërvitjet me forcat greke.

Zyrtarët grekë thanë të Premten se Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu do të dërgonin aeroplanët luftarakë në ishullin jugor Grek të Kretës, për stërvitje të përbashkët javën e ardhshme.

Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë kanë qenë tradicionalisht të tensinuara. Të dy kanë shkuar në prag të luftës tre herë që nga mesi i viteve 1970.