Dijana Toska

Shërbimet sekrete të ndihmuara nga bashkëpunëtorë të devotshëm shqiptar, çdo ditë e më shumë po rrënojnë identitetin tonë kombëtar, arsimor, kulturor dhe fetar. Ky nuk është një fenomen i ri, përkundrazi është një vazhdimësi e politikave të vjetra që synojnë zbehjen e ndërgjegjes kombëtare dhe largimin e popullit nga rrënjët burimore të tij.

Një histori e lavdishme nga e cila duhet të mësojmë shumë, ka ndodhur në vitet e 50-ta dhe është përcjellur brez pas brezi nëpër odat e burrave të Kosovës.
Në Gjakovë ishte hapur një shkollë e mesme e cila kishte nxitur interesim të madh tek prindërit për ti arsimuar fëmijët e tyre, pikërisht në kohën kur bastisej çdo shtëpi për të gjetur ndonjë libër nga Shqipëria apo ndonjë literaturë e huaj. Të shumëta ishin rastet kur UDB-ja, fuste në mënyrë tinzare një libër në ndonjë shtëpi, si pretekst për ti shpallur armiq të shtetit, të rinjë e intelektual të kohës.

Meqë filizat e arsimuar kishin filluar të lulëzonin gjithandej, shërbimet e kishin njoftuar Aleksandër Rankoviçin, themeluesin e UDB së Jugosllavisë njëherit edhe ministër i Punëve të Brendshme për rrezikun që po rritej nga shkollimi i rinisë shqiptare. Rankoviçi kishte urdhëruar bashkëpuntorët e tij në Kosovë që të bisedojnë me hoxhallarët, që kjo shkollë të mbyllet.

Pas hulumtimeve, njerëzit e UDB-së u drejtuan te Hoxhë Hasan Efendiu, figura më autoritative fetare në Gjakovë. I shkojnë në xhami dhe në bisedë e sipër i thonë që, “shteti ka vendosur për të mirën e juaj të përgjithshme, ta mbyll gjimnazin dhe si kompenzim të ju hap një medrese, ku të rinjtë shqiptar, pa asnjë problem mund ta vazhdojnë shkollimin”. Hoxha, me urtësinë që e karakterizonte, pranoi ti dëgjonte, por u kërkoi të vinin të nesërmen në xhami, që ai të mund ta paraqiste kërkesën e tyre para xhematit.

Të nesërmen, hoxha në prani të udbashëve e njofton xhematin dhe ende pa marr mendimin e tyre nga frika se mos dikush po pajtohet, ju tha me zë të qartë:
“O vllazni, unë këtë punë e kam menu tan natën dhe menja jonë na thotë, për medrese nuk kemi tash nevojë. Kta mujn me kallë krejt Gjakovën, por, na me trupat tonë do ta mbrojmë këtë shkollë, sepse nesër, qeta fmij qi dalin nga qe kjo shkollë, kanë me naj maru nji Gjakovë edhe ma të mirë”.

Ky qëndrim i fuqishëm, i bazuar në vizion dhe dashuri për kombin i Hoxhë Hasan Efendisë i mbijetoi kohës, ndërkohë që UDB-ja e Rankoviqit, vrau pa gjyq mbi 70 mijë shqiptarë, me mijëra të tjerë burgosi dhe mbi 250 mijë të tjerë i dëboi për në Turqi.
Nuk e di nëse ende qëndron në fuqi, dekorata që Enver Hoxha ia ndau Rankoviçit në vitin 1945 në Tiranë? Por, e di me siguri që sot, ajo histori e zezë po përsëritet në forma të reja dhe më të sofistikuara.

Sot, shërbime të ndryshme, të vjetra e të reja, me bashkëpuntorë të vjetër e të rinj, po rrezikojnë themelet e identitetit tonë.
Në prag të zgjedhjeve lokale, kemi më shumë se kurrë nevojë për vetëdijësim.
Kemi nevojë të zgjedhim kryetarë komunash që kanë vizion për ndërtimin e jetës kolektive dhe zhvillimin e arsimit.
Kemi nevojë për klerikë të ditur dhe të guximshëm, si Hoxhë Hasan Efendiu, që edukojnë e udhëzojnë xhematin në frymën e besimit tradicional ndaj Zotit dhe dashurisë për atdheun.

Kemi nevojë për politika që burojnë nga mendimi kombëtar, jo për vegla të politikave të huaja që shkulin rrënjët tona.
Kemi nevojë për Zërin e intelektualit që të ngrejë vetëdijen dhe të luftojë për më shumë hoxhallarë si Hasan Efendiu, që ta mbrojmë fatin e kombit nga duart e shërbimeve secrete dhe ndikimeve të errëta .
Dikur, një hoxhë mbrojti me jetë shkollën publike përballë kërkesës për të hapur medresenë.
Sot, për ironi, janë vetë akademikët që po e fusin medresen në institucionet arsimore, edhe pse jemi shtet laik me ligje të qarta për ndarjen e fesë nga arsimi.
Liderët politik, nuk guxojnë të lejojnë që tempujt e dijes e qytetarisë të kthehen në laboratore eksperimentimi ideologjik apo fetar.
Liderë politik, kanë për obligim ta mbrojnë frymën laike të shtetit dhe autonominë e institucioneve tona arsimore, si garanci për një të ardhme të shëndetshme dhe të lirë për brezat që vijnë.

Liderët politik, kanë përgegjësi ta mbrojnë arsimin nga kontrolli, fenë nga instrumentalizimi, dhe kombin nga përçarja. Ky nuk është vetëm detyrim ligjor e kushtetues, është detyrë kombëtare dhe njerëzore.
Sot, më shumë se kurrë, na duhet udhëheqje me vizion, me integritet dhe me vetëdije historike, të cilën fatkeqësisht e kemi të mangët.

By