Vdekja ime
Po të vdes në dhé të huaj
– Shorte mërgimtari –
Të m’a bëni varrin t’im,
Ku do bje së pari
E një grusht nga balta jonë,
– Dhe nga dheu i vetë –
Të më sillni e t’a vini
Drejt ne zemr e shkretë.
Do më çlodhet q’asohere
Trup i rraskapitur,
Ky trup që kaqe dëshërime
M’a patnë zhuritur.
Se kjo balt e vendit t’onë
Mallet do m’i shuaj,
S’do më duket fort i rëndë
Po ky dheu i huaj…
Pa të vini të m’i thoni
Nj’ asaj Nënës s’ime:
Zi mos qajë, zi mos mbajë
Po asnjë thërrime;
Se m’i lumtur jam i fjetur
Se sa i mërguar,
Mot pas moti arratije
Zemër copëtuar.
Pa fytyr’ e saj e tretur
– Që e kam ikonë –
Lart mi varr do më qëndrojë
Sot e përgjithmonë…
Mitrush Koteli
(Ukrainë, tetor 1941)