Një trupë gjykuese e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet ka vendosur se kjo gjykatë ka të drejtë të hapë një hetim penal kundër Izraelit dhe palestinezëve për krime lufte që dyshohet se janë kryer në Bregun Perëndimore, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor.

Vendimi ka qenë 2:1 dhe ai implikon se Palestina është shtet dhe për rrjedhojë gjykata mund të hetojë aty. Palët nën gjykim janë ndarë mbi këtë akt që vendos Izraelin nën një presion të madh ndërkombëtar. Kryeministri Beniamin Netanyahu, e ka dënuar vendimin duke cilësuar se Gjykata provoi se është një trupë politike që injoron krimet e vërteta të luftës. Ai ka kujtuar se Izraeli nuk është anëtar i gjykatës, për të cilën ka përcjellë edhe mendimin se ka dhunuar me vendimin e vet të drejtën e qeverive demokratike të vetëmbrohen kundër terrorizmit.

Nga ana tjetër, kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh e ka cilësuar vendimin se një fitore për drejtësinë dhe njerëzimin, për vlerat e së vërtetës, ndershmërinë dhe lirinë, si dhe për gjakun e viktimave dhe familjeve të tyre. Një qëndrim interesant ka ardhur në këtë kuadër nga SHBA. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price ka deklaruar se vendimi po vlerësohet por ka shtuar në mënyrë paralajmëruese se: Administrata Biden ka shqetësime serioze rreth përpjekjeve të Gjykatës për të ushtruar juridiksionin e vet mbi personelin e Izraelit.

Objekt i hetimit është Izraeli, zyrtarë të tij ndoshta dhe përfaqësues të Hamasit, të cilët nëse dënohen do të shpallen në kërkim ndërkombëtar. Një çështje kjo që ul ndjeshëm pozitën e Izraelit në botë, i mësuar të jetë përherë i përjashtuar nga rregulli i përgjithshëm.