Edona Halili

Arti është veprimtari krijuese artistike, e shpikur nga njeriu, për dallim nga veprat e natyrës, që pasqyron ambientin që na rrethon nëpërmjet riprodhimit të realitetit. Bota e artit është një univers i vërtetë, që ka një histori të gjatë, që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, e që përfshinë në vete një larmi të madhe dukurish.

Tërësitë e njohurive dhe arritjeve zhvillimore të një grupi, shoqërie ose populli, në fushat e caktuara të veprimtarisë mendore, krijuese, materiale e shoqërore përmblidhen me termin kulturë. Një ndër krijimtaritë shumë të rëndësishme të kësaj kulture që e  karakterizon një popull, është edhe arti. Prandaj të përshkruash një artist madhështor siç është Gazmend Freitag nuk është aspak e lehtë.

Vepra artistike e piktorit  të mirënjohur kosovar Gazmend Freitag është një fryt i një bashkëpunimi të ngushtë mes objektit, veprës dhe subjektit. Ai arrin që përmes  këtij akti thelbësor dhe  këtij bashkëveprimi të përçojë përjetimin e dukurive përmes shqisave. Pra, përceptimi i tij i fuqishëm emocional i gjithë  larmisë së botës shqisore me ngjyrat dhe vizuelet tjera e bënë atë një artist të veçantë.

Emocionet, ndjenjat, mendimet e tij,  janë dukuri shpirtërore që mund të kapën drejtpërsëdrejti nga shqisat, mirëpo ai këto i  paraqet  në format më të bukura të pikturimit. Përmbajtja e tyre e bukur dhe e  madhërishme mund të shikohet dhe të preket me anën e këtyre veprave të krijuara nga ai. Prandaj, puna e këtij artisti që njëherit është edhe miku im, është opusi i mjeteteve të  tija materiale: vijave, ngjyrave, lëvizjeve etj, që riprodhojnë estetikisht pamjet e jashtme fizike të dukurive të realitetit dhe ndërton  botën e imagjinatës së larmishme të tij  duke i paraqitur ato në figura artistike.

Derisa shkenctarët e studiojnë realitetin si dukuri objektive në secilën lëmi, artisti Freitag të njëjtat dukuri i pasqyron estetikisht përmes ndjenjave të brendshme të  tij duke i pasqyruar ato në forma të bukura artistike.

Raporti tij me botën e artit qëndron shumë thellë në brendësinë e tij gjë që e bën këtë artist t’i shpreh ndjenjat e brendshme, kurse shikuesi t’i përjetojë ato ndjenja.

Prandaj veprimtaria e tij artistike është edhe forma më e lartë e përvetësimit estetik të realitetit dhe imagjinatës, sepse nga njëra anë, pasqyron dukuritë e shumëllojshme estetike, dhe, nga ana tjetër, ai është krijim sipas ligjeve të së bukurës, është krijim vlerash të reja estetike.

Artistët shqiptarë kanë treguar talent të rrallë në shumë zhanre të krijimtarisë artistike, duke u radhitur në mesin e më të mirëve, jo vetëm në mesin e shoqërisë sonë, por edhe në hierarkinë e artit botëror. Artist të penelit  vizatimor siç është edhe Gazmend Freitag që po krijon emër e reputacion në qarqet e  galerisë bashkëkohore në botë.

Personaliteti, stili i të jetuarit, pamja dhe jetëshkrimi i artistit bëhen pjesë e konsumit që i bëhet veprës së tij, atëherë edhe ato mund të jenë produkt i një procesi krijues po aq sa edhe vepra vetë.

Edhe pse askush prej nesh nuk habitet me arritjet e artistëve të famshëm botërorë si dhe rrugëtimeve të tyre ashtu duhet të ndodhë me njohjen dhe admirimin e artistëve  tanë shqiptarë të cilët me opusin e tyre krijues na kanë magjepsur.

Për të kuptuar më mirë veprat  e tyre konkretisht të piktorit të mirënjohur Freitag, duhet pasur parasysh edhe prestigjin e tij të jashtëzakonshëm në botën e artit të sotëm i cili me ekspozitat e tij qofshin ato individuale apo kolektive  me sukses po e përfaqëson pikturën moderne shqiptare.