Kantinat shqiptare po hasin barriera në eksportin e verës dhe një pjesë e konsiderueshme e produktit është bllokuar në doganat e huaja. Sipas ligjeve të BE, çdo prodhues vere i një vendi jo anëtar i BE, i cili dëshiron që të eksportojë verë apo nënprodukte nga përpunimi i rrushit në vendet e BE ose më gjerë, është i detyruar që produktin e tij ta ketë të shoqëruar edhe me formularin VI-1 te siguruar nga eksportuesi ne vendin e tij te origjinës.
Sipas eksportuesve të cilët ngrenë këtë shqetësim, në vendin tonë është një kaos për gjenerimin dhe kompetencat se kush duhet ta plotësoje ketë formular dhe kush laborator i akredituar duhet që të kryejë analizat për ketë qellim. Për këtë arsye, kantinat shqiptare po hasin vështirësi të mëdha në doganat e vendeve pritëse, pasi pa ketë dokument produktet nuk mund të kalojnë procedurat doganore dhe shumë prej tyre qëndrojnë me ditë, deri sa ta zgjidhin privatisht ne institucionet shqiptare përvetësimin e këtij formulari.
Ligji europian referuar për ketë praktikë, kërkon qe nga vendi ynë te specifikohen trupat kompetente, laboratorët e akredituar te cilët duhet t’i komunikohen se pari Doganës Shqiptare, e me pas ne sistem iu shfaqen edhe doganave të këtyre vendeve dhe të përfshihen në artikullin 51 të këtij ligji.
Sipas eksportuesve diçka e tillë nga institucionet shqiptare nuk ka ndodhur sepse ne listën Nr.6 te artikullit 51 qëndron e shkruar Instituti për Kërkimet Ushqimore, i cili aktualisht ka ndryshuar emër dhe vendodhje dhe për me shume analizat te cilat ISUV kryen për verërat dhe nënproduktet, nuk janë të akredituara dhe si normativa, edhe procedura e kryerjes se këtyre testeve është shume e vjetër dhe e jo azhornuar.
Paradoksi qëndron që me gjithë ketë kaos për ketë formular, kantinat detyrohen qe ti drejtohen Institutit te Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për te kryer analizat pa standarde dhe duke mos qenë i akredituar.
Eksportuesit theksojnë se në vendin tone ka laboratorë testuese private te akredituara pёr kryerjen e testeve nё mostrat e verёs dhe pijeve alkoolike nё pёrputhje me standardin e kërkuar , të cilat mundësojnë qe raportet apo certifikate analizat e lëshuara nga këto laboratorë testues te jene te njohura në tregjet jashtë shtetit . Sipas tyre, në një situate normale do duhej qe laboratorët, automatikisht pas marrjes se statusit “I AKREDITUAR”, te futeshin ne listën nr.6 të këtij artikulli, gjë qe nuk është bërë.
Elisabeta Dosku