Dy nxënëse të Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri të hënën raportuan në Policinë e Kosovës se u ngacmuan seksualisht nga mësimdhënësi i Edukatës Fizike, H.A.
Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë, duke treguar se për të është bërë edhe kërkesa për paraburgim.
“Mund të konfirmoj që prokurorja e Departamentit për të Mitur ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një (1) person me iniciale H.A, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’ ndaj dy të miturave”, ka thënë Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka miratuar këtë kërkesë dhe të mërkurën i ka caktuar 1 muaj paraburgim mësimdhënësit të dyshuar për veprën penale “sulm seksual”.
Mirëpo, sipas drejtorit të shkollës, tek ata është denoncuar vetëm një rast nga një nxënëse dhe prindi i saj.
Të dy të miturat janë nxënëse të klasës së dhjetë dhe H.A është kujdestar i klasës së tyre.
Ndërkaq, pas raportimit, drejtoria komunale e Arsimit në Vushtrri, e ka suspenduar mësimdhënësin.
H.A është mësimdhënës në gjimnazin “Eqrem Çabej” tash e 20 vjet.