Partia e Albin Kurtit e ka goditur vazhdimin e idesë të Mini Shengenit nga treshja Vuçiç, Rama, Zaev. Për Vetëvendosjen “Ballkani i Hapur” (Open Balkans) është nismë e “dëmshme” për faktin se Serbia është bosht i kësaj iniciative, ctheksoi shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Për ne, absolutisht ka qenë një proces që prej fillimit nuk është mbështetur dhe e kemi konsideruar si një proces, e para paralel dhe e dyta të dëmshëm në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative, siç është rasti i ‘mini-Shengenit’ dhe (tani) ‘Open Balkans’”, tha Kusari-Lila të hënën në Prishtinë, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kusari-Lila tha se kjo nismë s’mund ta ketë një emërtim të tillë, pasi kundërshtohet nga tri vende të Ballkanit Perëndimor.

Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Më 29 korrik 2021, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative proserbe.