Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në broshurën e publikuar me listën e kandidatëve, ka fshirë numrat e kandidatëve të cilëve iu është mohuar kandidimi, një nga këtë është dhe kreu i LVV-së Albin Kurti. Pas këtij vendimi janë krijuar shumë paqartësi në lidhje me kandidimin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit dhe për të gjithë ata që nuk janë certifikuar nga KQZ-ja.

Sipas Telegrafit, në lidhje me këtë temë ka folur përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi. Kurteshi fajësoi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, për shkak se në opinion janë krijuar këto paqartësi. Ai ka sqaruar se të gjitha votat do të numërohen, por KQZ-ja nuk do të përfshijë në statistikat e veta votat për kandidatët që nuk janë certifikuar.

“Fleta e votimit i ka në njërën anë subjektet politike dhe në anën tjetër numrat e kandidatëve. Secili votues ka të drejtë të votojë një subjekt politik dhe pesë numra sipas përzgjedhjes së tij. Po të ishte ndryshe do të hiqnim numrat, kjo është një ‘spin’ që po e përhapin LDK dhe partitë tjera për të habitur njerëzit. Secili votues ka të drejtë të votojë secilin kandidatë nga numri 1 e tutje, ose ka të drejtë të mos votojë asnjë kandidatë edhe vlen vetëm vota për subjektin polik. Në këtë vend po përpiqen të shkatërrojnë çdo gjë. Është absurditet që po përhapet nga PDK dhe LDK, pra nuk mund të shpallet vota e pavlefshme. Ajo vetëm zyrtarisht nuk numërohet, pra vota për një kandidatë që nuk është i certifikuar, por vota nuk shpallet e pavlefshme. KQZ në statistika të veta nuk e përfshin, asgjë më shumë, por të gjitha votat do të numërohen. PDK dhe LDK ia kanë arritur të krijojnë habi rreth kësaj ”, shtoi më tej ai.

KQZ-ja nuk ka certifikuar tre kandidatë të Vetëvendosjes për zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi sipas listave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë pasur dënime në tri vitet e fundit. Por, LVV-ja ka pohuar se listat e tyre është e plotë me 110 kandidatë dhe se në krye të saj është Albin Kurti.