Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë sot se sulmi i fundit terrorist nga Serbia kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.

Madje sipas tij, përmes pamjeve të konfiskuara të regjistruara nga dronët, shihet se përgatitjet për sulmin janë bërë në Serbi.

Dhe sikurse edhe në disa raste më parë, mediat rajonale i kanë dhënë një vëmendje të veçantë deklaratave të tij, përkatësisht ngjarjeve të fundit në Kosovë.

“’Sot do të shohim në detaje jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë, por edhe përgatitjet e këtij grupi në qendrat stërvitore të Serbisë. Në këtë trajnim morën pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë Milan Mojsiloviq. Vuçiq ka tentuar ta fsheh faktin se Serbia ka qenë e përfshirë në organizimin e këtij sulmi’, tha ministri kosovar me rastin e prezantimit publik të incizimeve të konfiskuara”, ka shkruar Slobodna Bosna.

“Pamje të reja nga Kosova tronditin Serbinë: Shihni se si është përgatitur sulmi terrorist në qendrat stërvitore të Ushtrisë Serbe, në stërvitje ka qenë edhe Vuçiq!?”, thuhet në titullin e shkrimit të këtij mediumi.

Ata shtojnë se seancat stërvitore janë mbajtur në Kopaonik, në pronën e Milan Radoiçiqit.

Ndërsa portali nga Bosnja dhe Hercegovina, Klix.ba rikujton se përfaqësuesit e autoriteteve të Kosovës vazhdimisht e kanë identifikuar Milan Radoiçiqin si një nga udhëheqësit e grupit kriminal të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa kanë pohuar edhe se ai ka qenë i përfshirë në konfliktin e armatosur në fshatin Banjskë.

“Është publikuar edhe një video nga manastiri, në të cilën, pretendojnë ata, shihet me uniformë dhe me armë”, shton Klix.

Ndërkohë mediumi Index.hr i Zagrebit shkruan se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes një video-adresimi në faqen e tij në Instagram, ka thënë se brenda 24 orëve publiku do të shohë prova për “vrasjen brutale të së paku një serbi” në Kosovë.
E Antena M nga Podgorica shkruan se drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se Serbia i ka vënë në dispozicion logjistikën dhe infrastrukturën atij grupi.

“Stërvitjet ushtarake u mbajtën në një nga terrenet më të mëdha të stërvitjes ushtarake në Serbi, të paktën katër ditë para sulmit në Banjska, tha Hoxha”, ka shkruar ndër tjerash ky medium.