Vitti 1937 nuk do të jetë i mirë për shqiptarët…

Në Klubin Kulturor Serb në Beograd, bëhet projekti fatal për shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve prej Kosovës dhe Maqedonisë – për në Shqipëri dhe në Turqi. Fjala është për elaboratin famëkeq të Vasa Çubriloviqit (pjesëmarrës në atentatin e Sarajevës, ku vritet trashëgimtari i fronit austriak, Franz Ferdinand, që qe shkak i Luftës së Parë Botërore), i cili sugjeroi se mënyra për zgjedhjen e “problemit shqiptar” është spastrimi etnik masiv.

“Arnautët është e pamundur t’i shtypësh vetëm me kolonizim gradual… Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm është dhuna brutale e një qeverie shtetërore”, thoshte ai.

Çubriloviqi kërkonte dhunë ndaj shqiptarëve, dënime, arrestime, gjoba, forca paramilitare çetnike e shkatërrime të pronave, siç kishin bërë serbët më 1878-1878 me shqiptarët e Nishit, Kurshumlisë, Toplicës…

Vaso Çubriloviq, në vitin 1914, nën arrestin e policisë austro-hungareze

“Në kohën kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia mund të zhvendosë miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, dëbimi i disa qindra-mijëra shqiptarëve nuk do të çojë në shpërthimin e një lufte botërore”, shtonte ai. “Nëse shteti dëshiron të intervenojë në dobi të popullit të tij në luftën për tokë, do të ketë sukses veç duke vepruar brutalisht”.

Këtë elaborat e ka mbështetur edhe shkrimtari kroat, nobelisti Ivo Andriq që punonte kundër interesave edhe të popullit të tij e në dobi të Serbisë.

Për të zbatuar elaboratin, Qeveria e Beogradit veç kishte organizuar formacione paramilitare të çetnikëve të udhëhequr nga Kosta Peçanci, Miliq Krstiq, Jovan Babunski, Vasilije Trbiq etj. që organizonin ekspedita dhune, terrori dhe plaçkitje të organizuara.

Të njëjtat skena dhune e terrori do të përsëriten nga serbet gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-99., kujton MekuliPress.