Serbia po synon të forcojë edhe më tutje forcat e saj të armatosura, duke blerë aeroplanë të tjerë luftarakë, ka thënë të dielën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.Vuçiqi këto komente i bëri derisa vizitoi një brigadë ushtarake të tankeve në Mitrovicë të Sremit, në provincën autonome të Serbisë, Vojvodinë.

“Nuk mund të mbajmë shënime për të gjitha dhuratat dhe donacionet që disa vende të NATO-s në fqinjësi po i marrin nga SHBA-ja, Gjermania dhe nga vende tjera, prandaj duhet të luftojmë të vetëm për të ruajtur paqen të vetëm dhe ta ruajmë të ardhmen të vetëm”, tha Vuçiqi, raporton “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe, transmeton “Zeri.info”.

Ai nuk specifikoi se çfarë aeroplanësh luftarakë po planifikon Beogradi të blejë, por tha se qëllimi është siguria e vendit të tij, stabiliteti dhe paqja në rajonin e Ballkanit.

“Ne, si një vend ushtarakisht neutral, dëshirojmë të ruajmë neutralitetin tonë ushtarak, që do të thotë se kujdesemi të vetëm për qiellin tonë, kujdesemi të vetëm për vendin tonë. Do të investojmë para dhe besoj se ne, duke mos dashur të marrim pjesë në kurrfarë fare, gjithmonë do të jemi në gjendje të garantojmë siguri, stabilitet, por edhe paqe”, vazhdoi Vuçiqi.

Mediat proqeveritare serbe kanë raportuar se Serbia ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-ja 20 aeroplanë bombardues, por Washingtoni ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.

Megjithatë, raporti spekulon se në rast të refuzimit nga SHBA-ja Serbia sipas të gjitha gjasave do të blejë aeroplanët luftarakë rusë “Sukhoi-25”.

Edhe pse Vuçiqi e quajti Serbinë ushtarakisht neutrale, kohëve të fundit Beogradi ka pranuar një sistem të sofistikuar antiajror nga Rusia, duke përfshirë aeroplanë luftarakë, helikopterë sulmues dhe automjete të blinduara.

Serbia ka blerë dronë ushtarakë edhe nga një aleat tjetër, Kina.

SHBA-ja ka thënë se do t’i vërë sanksione Serbisë nëse Moska dërgon armatime të tjera në vend, të cilat do të kërcënonin sigurinë e vendeve të tjera fqinje anëtare të NATO-s.