Mbahet sot protesta e opozitës para Kuvendit, ndërsa 30 minuta më vonë pritet të nisë seanca plenare. Teksa jashtë selisë së Parlamentit opozitarët do të protestojnë kundër qeverisë Rama, në seancë pritet të vendoset mbi imunitetin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Protesta është njoftuar se do të nisë në orën 09:30. Kujtojmë se dje Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 30 deputetëve të opozitës për të cilësuar antikushtetuese masat ndaj Berishës, ndërsa ajo ia kaloi procedurën e radhës Kuvendit. Sakaq, dje ish-kryeministri Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e protestës së opozitës. Berisha theksoi se kjo protestë do të mbahet pasi qeveria Rama po ndërmerr vendime antikushtetuese, si dhe paralajmëroi se më datë 21 dhjetor do të vijojë mosbindja civile e deputetëve brenda sallës së seancës plenare. Berisha paralajmëroi protesta edhe përpara SPAK, institucion, i cili sipas tij po amniston Ramën dhe Veliajn për aferën me inceneratorin e Tiranës.