Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka kërkuar që të publikohet lista e votuesve nga diaspora që u është refuzuar aplikimi për votim.

Kurteshi u shpreh se publikimi i kësaj liste do të ishte një vendim i drejtë i KQZ-së.

“Është kërkuar që të publikohet lista e personave të refuzuar dhe që janë pranuar që kanë të drejtë me e dërgu votën. Këto lista duhet të përputhen sepse me gjasë ka njerëz që nuk e dinë dhe nuk e shohin veten në listën e atyre që kanë aplikuar suksesshëm dhe janë konfirmuar. Kjo është një problem dhe kishte me qenë e drejtë që të publikohet përfundimisht lista përfundimtare e personave të refuzuar”, ka thënë Kurteshi.

Po ashtu, Kurteshi kërkoi që data e fundit kur pranohen votat me postë nga shtetet e jashtme të jetë 13 shkurti.

“Data 13 shkurt të jetë datë deri kur pranohet posta me fletëvotime nga jashtë, sepse ajo nuk e dëmton në asnjë mënyrë votën që hidhet me 14 shkurt në Kosovë”, ka thënë ai.

Kurse, Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, i është përgjigjur Kurteshit duke i thënë se publikimi i kësaj liste nuk është bërë asnjëherë dhe kjo nuk po ndodh as tani.

“Sipas procedurave kjo listë nuk është publikuar asnjëherë. Të gjithë ata që nuk e gjejnë veten në listën e aplikuesve të suksesshëm jashtë vendit janë në listën e refuzimeve”, ka thënë Ahmetaj.

Menjëherë ka reaguar përfaqësuesi tjetër i VV-së në KQZ, Alim Rama i cili e quajti këtë si qasje jo transparente të KQZ-së