Edhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve i kanë kushtuar hapësirë dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Kjo për shkak se partia kryesore e opozitës bën lajm në çdo vend. Associated Press ka raportuar e para lajmin dhe pas saj ai është marrë edhe nga agjencitë e tjera.

“Lideri i partisë kryesore opozitare të Shqipërisë dha dorëheqjen të hënën nga posti pas përçarjeve të brendshme. Lulzim Basha tha se kishte vendosur të jepte dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike “për të ndihmuar në ringjalljen dhe unitetin e demokratëve” – thuhet në një shkrim të Washington Post.

“Shkarkimi i ish-liderit të partisë Sali Berisha nga grupi parlamentar nga Basha në shtator shkaktoi një përplasje brenda partisë mes tyre. Berisha krijoi një grup që kërkonte të largonte Bashën, duke e akuzuar atë si “peng” të kryeministrit Edi Rama të Partisë Socialiste të majtë. Në janar, mbështetësit e Partisë Demokratike të qendrës së djathtë u përleshën me njëri-tjetrin ndërsa u përpoqën të sulmonin selinë e partisë së tyre.

Basha pasoi Berishën në këtë post kur ky i fundit dha dorëheqjen në vitin 2013 pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Më parë këtë muaj, demokratët e ndarë humbën me shumicë dërrmuese në zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki. Ishte humbja e fundit e Bashës në 9 vitet që ai ka udhëhequr demokratët.

Lëvizja e Bashës kundër Berishës pasoi një ndërhyrje në maj të Sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken, i cili përcaktoi Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë si persona non grata për “akte korruptive që minuan demokracinë në Shqipëri” gjatë mandatit të Berishës si kryeministër 2005-2013. Uashingtoni gjithashtu e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunonte me Partinë Demokratike të Shqipërisë nëse ajo do të drejtohej nga Berisha” – thuhet në një shkrim të Washington Post.