Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka folur në konferencë për media ku u prezantua armatimi i kapur afër Banjskës.

Sveçla ka bërë të ditur se së paku tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë, 2 janë arrestuar, dhe 4 të arrestuar të tjerë dyshohen për mbështetje.

Kurse, gjashtë persona të lënduar po trajtohen në Spitalin e Novi Pazarit.

Sveçla ka bërë të ditur se janë gjetur dokumente që dëshmojnë përfshirjen e kriminelit Milan Radojiçiq në këtë sulm terrorist.

“Në objektet brenda dhe në vetura janë gjetur harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë të mirëmenduar dhe bashkërenduar. Këto harta e dokumente janë dëshmi se nuk kemi të bëjmë me grupe lokale, por organizim terrorist të udhëzuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendorë e të huaj është konstatuar se për këtë organizim duhen përgatitje disa muaj. Pra nuk ka qenë diçka ad-hoc. Në këto materiale kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojiçiqi, që dëshmojnë lidhjen e tij dhe pjesëmarrjen në këtë aksion. Kjo është lista e armëve, apo leje zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radojiçiq”, ka thënë Sveçla.

“Policia jonë është ballafaquar me sërë sulmesh të organizuara mirë nga persona të maskuar, nga njësi profesionale e speciale të mbështetura financiarisht e logjististikisht nga Serbia. Ata kanë pasur edhe mjete të renda si auto-blinda me të cilat kanë zhvilluar operacionin e tyre. Falë profesionalizmit të Policisë, plani i tyre ka dështuar. Në shkëmbimin e zjarrit mes grupit të organizuar dhe policisë, kanë mbetur tre të vrarë nga ta të gjithë me uniforma e me pajisje, dhe janë arrestuar dy të tjerë. Dhe katër persona që kanë qenë në rolin e tyre mbështetës në këtë aktivitet. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i plagosur, atij i është dhënë ndihma e parë nga policia në terren e pastaj edhe në spitalin e Mitrovicës. Asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion. Sipas informatave të deritashme 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit, dhe kërkojmë që ata t’i dorëzojë autoriteteve të Kosovës”, ka deklaruar ai.