E nderuara familje Spahiu,

I dashur Orges,

Të nderuar kolegë, shkrimtarë, studiues, profesorë, akademikë!

Në pamundësi që të marr pjesë në veprimtarinë kushtuar mikut tonë të shtrenjtë, poetit të madh Xhevahir Spahiu, Ju përshëndes përzemërsisht!

Ditëlindja e Xhevahir Spahiut është datë e rëndësishme e letërsisë shqipe. Më 1 mars 1945 në Malind të Skraparit erdhi në jetë një nga penat më të spikatura të poezisë shqipe të të gjitha kohëve: Xhevahir Spahiu.

Në çdo fillim të vitit akademik, për t’ua zgjuar kërshërinë për letërsinë në përgjithësi dhe për krijimtarinë e Xhevahirit në veçanti, u thosha studentëve të mi se Xhevahir Spahiu është poet që me dy vargje e ka shpjeguar historinë shqiptare: “Tehut të shpatës kemi ecur rrufé./ Pastaj shpata ka ecur mbi ne”. Është njëra nga “shkurtimat” e poetit, në të cilën, nëpërmjet një sinteze të fuqishme figurative, jepet drama historike e popullit shqiptar në shekuj, shkurt: Historia jonë.

Ditë më parë, në 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ua lexova miqve të mi në Prishtinë dhe në Strugë poezinë “Kënga e lirisë”, të shkruar plot 35 vjet më parë, e cila mbyllet me vargun: “Kosova është në muajin e nëntë dhe do të pjellë lirinë”. Profecia e poetit, e shqiptuar në vitin e largët 1990, u bë realitet, sepse intuita e poetëve të vërtetë, nga Bajroni e Pushkini e gjer te Brehti e Neruda dhe nga Naimi e Migjeni e gjer te Dritëroi e Xhevoja, është e pagabueshme.

Xhevoja ynë i lau borxhet në këtë jetë me vargje të shkruara me gjak: “I kam borxhe nënës,/ që s’ja ngrita varrin,/ I kam borxhe lisit,/ Që s’ja hodha pjergullën./ I kam borxhe dashurisë,/ që ia vodha të dielat,/ I kam borxhe krimit,/ Që s’i vura emër,/ Dhe vë pikën këtu./ Tani mund të flisni,/ Për borxhet që më keni ju!”. Ai e di ç’mistere vëngojnë në zemrën e njeriut dhe arrin të na i zbulojë ato me një gjuhë poetike sa elokuente aq edhe lakonike. “Po ti jepi zemrës pak zemër;/ thuaji ashtu kot: e keqja është larg”.

Poezia e Xhevahir Spahiut fton për t’i dalë para rrezikut, edhe kur apokalipsi na rri mbi krye si shpatë e Damakleut. Por shpresa nuk duhet bjerrë, edhe kur trishtimi troket në derë. Zezona zmbrapset para alkimisë së fjalës, ngjyrës dhe tingullit, çfarë është poezia e Xhevahir Spahiut – vlerë e kombit dhe e njerëzimit. Jetë të gjatë miku ynë i shtrenjtë, Xhevo, krijues i pavdekshëm!

Respekt të gjithë juve, miq dhe kolegë, që jeni mbledhur ta nderoni poetin fjalëxhevahir në këtë jubile të tij dhe tonin!

Me dashuri nga Prishtina!

Juaji, Agim Vinca

Prishtinë (Ulpianë), 1 mars 2025

By