Ambasadori amerikan në Beograd, Chirss Hill, citohet të jetë shprehur në mediat serbe se askush nuk po i kërkon Serbisë të njohë Kosovën. Sipas tij kjo është një çështje që vetë Serbia duhet ta vendosë dhe se ndaj të dyja vendeve po kërkohet që të normalizojnë marrëdhëniet në përputhje me procesin e ndërmjetësuar nga BE.

Ai ka argumentuar se shitja e sistemit “Javelin” Kosovës lidhet me synimin afatgjatë për të mundësuar autonominë e këtij vendi dhe për të mos mbajtur më forca të huaja.

Qëndrimi në fjalë është shprehje e një diplomacie kaotike nga SHBA në Ballkanin Perëndimor, pasi Kosova është investim amerikan në kuptim të fitimit të shtetësisë dhe njohjes së saj. Politika e paqëtimit që po ndiqet nga SHBA me Beogradin mund të niset nga shumë konsiderata rajonale dhe më gjerë, por heqja dorë nga presioni që Serbia të mos e njohë Kosovën, lë të hapur çdo opsion përshkallëzimi.

Hill madje ka shkuar më tej kur ka komentuar se Marrëveshja e Ohrit nuk përfshin njohjen reciproke, ndërkohë që refuzimi i presidentit serb për ta zbatuar atë formalisht, ndonëse hap pas hapi po lejon që ajo të vihet në jetë, lidhet pikërisht me këtë çështje. Pra refuzimin për ta njohur Kosovën.

Në këtë kuadër ne duhet të shohim te hapat e marra për targat dhe euron një zbatim praktik të marrëveshjes së Ohrit pa detyruar Beogradin të njohë Kosovën, duke i lënë kësaj të fundit detyrimin për krijimin e Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Pyetja që mbetet është se në momentin e ezaurimit të çështjeve të parashtruara në Marrëveshje do të mbetet sërish njohja dhe këtu sigurisht që do të duhet një momentum i ri politik për ta vënë atë në zbatim. Nuk dihet nëse ka dakordësi në Prishtinë për këtë taktikë që po ndiqet, por tolerimi për targat që bëri Beogradi, mund të jetë një shenjë, që mori si hap reciprok pranimin nga Prishtina të hapave për kalimin në zgjedhje lokale në Veri përmes administrimit të kërkesave të qytetarëve kosovarë me kombësi serbe.

s.zaimi