Këshilltari i kreut të AKR-së Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka publikuar disa dokumente, ku shihet pjesëmarrja e Ivica Daçiqit në pothuajse të gjitha takimet e Sllobodan Millosheviqit me diplomatët e huaj dhe në planifikimet e luftës në Kosovë.

Zyberaj në një postim në Facebook, ka thënë se Serbia nuk u pastrua kurrë nga politikat dhe elementet Millosheviçit.

Sipas tij, kërcënimi i Daçiqit ndaj serbëve që zbulojnë vendet ku fshihen trupat e shqiptarëve të vrarë, është një vazhdim i politikës së Serbisë së madhe fashiste të Daçiqit dhe SPS.

Ai e ka quajtur Daiçiqin “Slobo i vogël”.

Reagimi i tij në Facebook:

Kërcënimet e bëra nga Ivica Daçiç kundër serbëve që zbulojnë vendet ku fshihen trupat e shqiptarëve të vrarë nuk është diçka e re, por një vazhdim i politikës së Serbisë së madhe fashiste të Daçiqit dhe SPS.

Në këto dokumente mund të shihet pjesëmarrja e Ivica Daçiçit në pothuajse të gjitha takimet e Sllobodan Millosheviqit me diplomatet e huaj dhe në planifikimet e luftës në Kosovë. Kjo është arsyeja pse ai quhet Slobo i vogël.

Ivica Daçiç sot është në gjendje të flasë për politikat fashiste të Serbisë dhe të kërcënojë njerëzit sepse në Serbi nuk ndodhi kurrë denazifikimi nga SPS dhe elementët pro-Millosheviç dhe deri më tani partia e tij nuk u përball me gjyq për politikat gjenocidale në Kosovë, Bosnjë dhe Serbi.

Koha është të tregojmë fytyrën e njerëzve të ulur në Beograd.