Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha sot se Ukraina ka nisur operacionet kundërsulmuese dhe mbrojtëse.

Megjithëse theksoi se ato janë në zhvillim e sipër, Zelensky nuk tha se në cilën fazë ndodhen. Lajmi vjen pasi ushtria e Ukrainës tha se tre civilë u vranë në një sulm me dron gjatë natës në qytetin port të Odesës në Detin e Zi.

“Veprimet kundërsulmuese dhe mbrojtëse po zhvillohen në Ukrainë: në cilën fazë janë, nuk do të flas në detaje,” tha Zelensky në një konferencë të përbashkët shtypi në Kiev me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.

Ky i fundit premtoi se Kanadaja do të marrë pjesë në një përpjekje shumëkombëshe për të trajnuar pilotët luftarakë ukrainas dhe njoftoi 500 milionë dollarë kanadezë (375 milionë dollarë) ndihmë ushtarake për Kievin.