Në fillim të muajit maj, The New York Times Magazine publikoi një histori të thelluar për Aleksandar Vuçiqin duke treguar lidhjeve e presidentit serb me një grup kriminal që po ndiqet penalisht për një sërë krimesh, duke përfshirë trafikun e drogës dhe vrasjen.

 

Historia tërhoqi vëmendjen e gjerë ndërkombëtarisht, jo vetëm në Ballkan, ku organet hetimore lokale kanë raportuar shumë nga të njëjtat akuza, të cilat lideri serb i mohon.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentonte rreth raportimeve për lidhjet e liderit serb me grupet kriminale, megjithatë të paktën një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit e ndau historinë në mediat sociale. Dhe akuzat u ngritën muajin e kaluar gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, analistët e jashtëm kanë qenë të zëshëm, transmeton Telegrafi.

“Është një histori tronditëse dhe e tmerrshme që nivelet më të larta të qeverisjes janë kaq të ndërthurura me sipërmarrje kriminale. Mendoj se e kemi parë këtë në mjaft vende të tjera saqë është një shqetësim në rritje, ngatërresa midis qeverive autoritare dhe rrjeteve kriminale”, tha për zërineamerikës, Gary Kalman, Drejtori ekzekutiv i Transparency International USA.

“Është e tmerrshme. Është shumë keq”, tha Susan Rose-Ackerman, profesoreshë e drejtësisë dhe shkencave politike në Universitetin Yale, e cila ishte bashkëautore e librit “Korrupsioni dhe Qeveria”. Ajo i tha Zërit të Amerikës se lidhjet mes njerëzve në pushtet politik dhe krimit të organizuar krijojnë një version ekstrem të korrupsionit politik.

Times raportoi se lidhjet midis policisë dhe grupit kriminal, të udhëhequr nga huligani i futbollit Veljko Belivuk, ishin të dokumentuara mirë. Historia gjithashtu pretendonte se “ka pak dyshim që Belivuk dhe banda e tij janë në burg sepse Europoli ka thyer kodin” e aplikacionit të mesazheve telefonike përmes të cilit ata komunikonin.

Worth raportoi se Belivuk dëshmoi në gjykatë se “banda e tij ishte organizuar ‘për nevojë dhe me urdhër të Aleksandar Vuçiqit’.” Ai shtoi se grupi, ndër të tjera, përdorte për të frikësuar rivalët politikë dhe për të parandaluar tifozët e futbollit të bënin thirrjet kundër Vuçiqit.

Worth shkroi gjithashtu se ai është skeptik që Vuçiq nuk ishte në dijeni të të gjitha grupeve që bënë pasi ai “tani ushtron kontroll pothuajse total mbi pothuajse çdo aspekt të jetës publike” në Serbi.

Konteksti ndërkombëtar

Vuçiq ka qenë në politikë që nga vitet 1990. Ai shërbeu si ministër i informacionit për Slobodan Millosheviqin, ku udhëhoqi një goditje ndaj shtypit dhe shprehu publikisht mbështetje për kriminelët serbë të luftës.

Partia e tij Progresive Serbe është në pushtet për më shumë se 10 vjet, gjatë të cilave ai ishte edhe kryeministër.

Zëdhënësit e Vuçiqit refuzuan kërkesat e Worth-it për komente, por në një intervistë për televizionin pro-qeveritar Happy TV në Serbi, Vuçiq tha se “historia absurde e New York Times ishte porositur” dhe se ai e kupton atë mesazh rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e ka njohur kurrë.

“Unë e di se si e bëjnë këtë”, tha Vuçiq për Happy TV. “E dini, CIA ju vendos, CIA ju vëzhgon, nëse nuk silleni mirë dhe nuk dëgjoni, ky është vetëm fillimi”.

Është bërë praktikë e zakonshme në vitet e kaluara që autoritetet serbe të cilësojnë çdo kritikë si tradhti, komplot kundër vendit ose komplot për të përmbysur qeverinë.

Të dy, Worth dhe New York Times mohuan akuza të tilla.