Në Shqipëri ka përfunduar faza e parë e zgjedhjeve parlamentare: Votimi! Siç mund të kuptohet nga vetë heshtja e partive kryesore në garë, disa prej të cilave premtuan Qametin, është e qartë se deri më tani ka fituar realizmi. Ai realizëm që e pamë të verifikohet te heshtja e Sali Berishës në vitin 2013, kur për 3 ditë doli nga ekranet për të dalë vetëm për pranimin e humbjes duke njohur një verdikt popullor.

Patjetër që ka incidente të papëlqyeshme, por ne duhet të pranojmë se këto zgjedhje, të paktën në aspektin e dukshëm të tyre, nuk manifestuan asnjë element gangsterizimi. Në këtë kontekst rezultati është një formalitet i domosdoshëm që vështirë se mund të kompromentohet nga cenimi i numërimit.

A mund të quhet kjo një fitore? Po dhe jo. Po, sepse Shqipëria bëri zgjedhje normale deri diku. Jo, sepse garantë të sigurisë së tyre ishin sërish të huajt, që janë guarnicioni i një shteti disfunksional.

Sa për klimën e gjeneruar ne mund të pranojmë me shpresën e mirë se atë e përcaktoi e vërteta e Shqipërisë që është e ndarë mes dëshirës për ta hequr një pushtet që nuk ofron më asgjë dhe një opozite që nuk jep garanci.

Mesa duket vota është shuplaka e vetme që pushtetit i djeg në këtë vend, të cilin e qeveris me kërbaç dhe lekë në dorë.

Janë deficitite të një demokracie gjysmake që jeton duke dhënë shpirt e për të cilën ka një kurë: angazhim.