Pas intervistës së kryeministrit Rama në “RAI UNO”, ku tha se kishte shkuar për të pastruar imazhin e Shqipërisë së njollosur nga protestat e opozitës, ka ardhur edhe reagimi i partisë ZGJIDHJA, e drejtuar nga zoti Koço Kokëdhima.

Sipas partisë ZGJIDHJA, kryeministri Rama nuk do të mundet kurrë të pastrojë imazhin e një vendi që është shkatërruar nga klasa politike, nga krimi, korrupsioni, droga dhe keqqeverisja.

“Shqipëria nuk është vetëm në krizë politike, por deri edhe në krizën e urisë. Fajtore është politika, janë liderët politikë që prej dy dekadash gllabërojnë pushtete dhe të mirat materiale të vendit, thithin deri në palcë atë pak gjë që ka mbetur nga ekonomia publike dhe nuk pyesin fare për mirëqenien e popullit”,-shkruhet në deklaratën e partisë ZGJIDHJA.

Deklaratë shtypi e partisë ZGJIDHJA

Rama braktisi të martën paradite parlamentin e rrethuar me policë dhe protestues për të shkuar në Itali, në studion e RAI UNO, në emisionin e të mirënjohurit Bruno Vespa. Tha se shkonte atje për të pastruar imazhin e Shqipërisë të njollosur nga protesta e PD-LSI dhe për t’u treguar italianëve se në Shqipëri nuk ka krizë politike, nuk ka protestë popullore, por kryengritje të disa politikanëve që duan pushtet në tavolinë.

Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti dhe italianët e kanë ditur prej shumë kohësh këtë ndaj e kanë dashur edhe pjesë të tyren, për natyrën dhe pasuritë e shumta që ka. Kryeministri i Shqipërisë, jo në studion e Vespës, por edhe në një studio hënore po të shkojë nuk do të arrijë kurrë të pastrojë imazhin e një vendi të shkatërruar nga klasa politike, nga krimi, korrupsioni, droga dhe keqqeverisja. Italianët e dinë më mirë se kushdo këtë, sepse, prej 6 vitesh, nën drejtimin e Ramës vendi i tyre është përmbytur nga kanabisi dhe kokaina dhe nga qindra mijëra emigrantët e pashpresë që kërkojnë atje një vend pune dhe jetese, apo thjesht e përdorin si tranzit drejt Europës Perëndimore.Sponsored by Revcontent

Shqipëria nuk është vetëm në krizë politike, por deri edhe në krizën e urisë. Fajtore është politika, janë liderët politikë që prej dy dekadash gllabërojnë pushtete dhe të mirat materiale të vendit, thithin deri në palcë atë pak gjë që ka mbetur nga ekonomia publike dhe nuk pyesin fare për mirëqenien e popullit. Shqiptarët kujtuan se e hodhën dikaturën atë vit kur mbushën anijet për eksodin tragjik të fillimvitit 1991, por sot janë nën diktaturën e tri partive që kanë rrëmbyer të drejtat e shqiptarëve për të ndryshuar vendin e tyre, sepse u kanë rrëmbyer votën.

ZGJIDHJA u thotë Ramës dhe sojit të tij politik që të lexojnë qoftë reagimet e emigrantëve në videon e emisionit ‘Porta a Porta’ (që ende s’janë fshirë nga urithët e kryeministrisë) për të kuptuar revoltën dhe hidhërimin e tyre pse vendi i tyre nuk i mban, por i përzë bijtë e tij çdo ditë dhe për këtë fajësojnë establishmentin politik që nuk ka ndërmend të shkulet sikur të mos mbetet këmbë shqiptari në atdhe. Përdorimi i turpshëm nga Rama i emisionit politik më të rëndësishëm të televizoneve italiane nuk do ta shplajë llumin ku e ka zhytur vendin politika e vjetër. Shqipëria do të ringrihet kur kjo klasë politike të hiqet me votën e lirë dhe të barabartë të shqiptarëve, në një të ardhme të afërt.

#ZgjidhjaPerShqiperine /MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress