Pas takimit të zyrtarëve të lartë të Postës së Kosovës (PK) me ministren e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami dhe drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, sot pasdite janë zhbllokuar të xhirollogaritë bankare të Postës së Kosovës.

“Në këtë takim të përbashkët, ata biseduan format për gjetjen e mundësisë reale të kryerjes së obligimeve financiare të Postës së Kosovës ndaj ATK-së, përmes një riprogramimi të borxhit, që do të nënkuptonte edhe zhbllokimin e menjëhershëm të xhirollogarive bankare”, thuhet në njoftimm, përcjell Zëri.

Gjithashtu, në lajmërim thuhet se dy zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, së bashku me përfaqësuesin e Sindikatës së Punonjësve, Bujar Shala u takuan edhe me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, me të cilin bashkëbiseduan rreth funksionimit të ndërmarrjes, për problemet dhe sfidat e ballafaqimit të saj gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

“Ata shfaqën brengat e tyre, që Posta e Kosovës po humbë financiarisht nga Shërbimi Universal Postar që po e kryen rregullisht si detyrim ligjor që ka, ndërsa nuk po rimbursohet nga Qeveria e Kosovës. Për këtë deponuan edhe kërkesën me shkrim për kthim të borxhit të Qeverisë në vlerë rreth 5 milion euro, për të garantuar operacionalitetin dhe funksionalitetin e ndërmarrjes”, thuhet në komunikatë, përcjell Zëri.

Qëllimi i këtyre takimeve sipas PK-së se ishte që të kërkohet përkrahje nga Qeveria e Kosovës si aksionar i Postës së Kosovës, e cila përgjatë kësaj kohe ka probleme të mëdha financiare, me rënien e të hyrave për shkak të pandemisë, rritja e borxhit ndaj ATK-së, e cila pati bllokuar dje llogaritë bankare Postës së Kosovës.