Për ne, pazari për jetën mbaron në varreza, për ata pazari i votës mbaron në shenjtërinë e pushtetit

Nga Dijana Toska

Atmosfera e fushatës zgjedhore po ndjehet. Tifozeritë kanë ndezur motorët. Nacionalistët e rinj brohorasin në stadiume, dëgjohen zëra që kërkojnë edhe vdekjen për bashkëmoshatarët e tyre që flasin një gjuhë tjetër identitare. Në emër të popullit partitë kanë ngritur flamujt e denigrimit dhe gjuhën e përçarjes në betejën, për ta mbrojtur tronin e pushtetit në emër të Zotit dhe për Zotin.

Fushata për pushtet po ndahet në pazarin mes hallallit e haramit. Duar që deri dje blenë e shitën gjithçka, sot, simbolet e devotshmërisë, tespihët e qirinjët i kanë kthyer në simbole mashtrimi. Kisha e xhamija janë kthyer në shtabe partie, ku bekimi i Zotit përdoret si metodë  për të ngritur sondazhet e një pushteti hallall me milionat e fituara nga pushteti haram.

Kur kishat e xhamitë trafikohen e kthehen në seli elektorale, e feja nuk trajtohet si ndërgjegjje, por si monedhë, zarf e fletëvotimi. Kur Zoti shndërrohet në pankartë rrugësh për një votë plus, nuk kemi më çka humbim më shumë nga të qenurit qenie amorfe që ende beson se një kandidat zbret nga një post i lartë për t’u marr me ujërat e zeza të komunës nga të cilat dalin parat e shpërlara.

Nga foltoret fetare dëgjohen fjalë si “drejtësi”, “ndershmëri”, “votë për të mirën”. Po kush e përcakton të mirën? Një lider i partisë apo Zoti? Kur lutja për mëshirë e faleminderim, zëvendësohet me betimin për votë, atëherë nuk mund të mos shtrosh pyetjen, kush është më e shenjtë: kutia e votimit apo dhunimi i shenjtërisë?

Kur në emër të Zotit, ata bëjnë pazare. Në emër të moralit, ngrenë flamuj partie. Në emër të popullit, vendosin kush e meriton “bekimin”. Atëherë politika s’po kërkon më vetëm pushtet, po kërkon besimin.

Jo besimin e popullit, por atë që i takon Zotit.

Dhe ne heshtim si qytetarë që kërkojmë ndihmë nga Zoti dhe votojmë politikan që e përdorin Zotin tonë për të na mashtruar në emrin tonë. Heshtin klerikët fetarë për mëkatin kolektiv që po ndodhë në shtëpinë e Zotit, ngase prangat për rizgjedhjen e tyre ndodhen në duart këtyre zaptuesve politikë të cilët përmes Aminit e mbajnë shpirtin e robit në grusht. Këta kërkojnë me çdo kusht votë për pushtet politik e fetar, ndërsa ne kërkojmë bekim nga këta që bekimin e kanë kthyer në mall tregu duke harruar që Zoti nuk kërkon nga ne votë, por ndërgjegje.

“Vota me Amin” për pushtet politik a fetar në emër të Zotit është një diskurs i etabluar prej kohësh në habitatin tonë mendor dhe shoqëror. Është një strategji e përbashkët veprimi mes politikës dhe religjioneve – të mbjellin frikë nga Zoti, të nënshtrojnë e të mashtrojnë, që të mos guxosh të jetosh në këtë jetë, por të lutesh që të jetosh në botën tjetër, dhe pastaj edhe të besosh se pa Aminin e politikës nuk ka jetë as në këtë botë e as në atë tjetrën.

Edhe ashtu, prej kohësh, politika ka vendosur monopol edhe mbi vdekjen tonë. Nëse do të rezervosh dy metra tokë morti për së gjalli, duhet të paguash mijëra euro për shërbimin, veç që duhet ta paguash klerikun me euro për ti thënë dy tri fjalë kurtoazije mbi kufomën tënde. Për ne, pazari për jetën mbaron në varreza, për ata pazari i votës mbaron në shenjtërinë e pushtetit.

 Kurse media asesi të pyes, ku është i Lartmadhërishmi në gjithë këtë hesap të politikbërjes. A jep Zoti mandate, a ndan poste, a emëron ministra, a ndan pasuri materiale apo begati shpirtërore, a shpërndan parajsën ekluzivisht për politikan e ferrin për të robëruarit e nemur që skan sy për të parë, e guxim për ta mbrojtur me xhelozi Zotin e tyre që çdo ditë lutet për Dritën tonë?

Zoti nuk ka nevojë për fushatë.

 Nuk kërkon vota.

 Nuk jep bekime me tenderë.

Ai kërkon vetëm një gjë që asnjë kandidat nuk e ofron: ndërgjegje të pastër dhe pak turp.

O Zot të Lutem ndihmo besimtarët ta njohin dashurinë Tënde!

Amin!

Shkup, 08 gusht 2025

By