Vrasja e një polici në detyrë dhe lëvizja e një grupi personash të armatosur në veri ka rikthyer kujtimet e luftës dhe pasigurinë mes shqiptarëve që jetojnë në Kosovë. Në një konferencë me gazetarët, kryeministri Albin Kurti u pa teksa përpiqet të japin një përgjigje dinjitoze ndaj këtij akti që kërkon drejtësi, por edhe të jetë i kujdesshëm, që situata të mos degradojë, siç do t’i interesonte Beogradit.

Sepse është e qartë që sulmi është organizuar dhe dirigjohet nga Beogradi, njësoj siç ka ndodhur më parë me bojkotin e serbëve në veri, me protestat e dhunshme pas zgjedhjeve apo me rrëmbimin e tre policëve shqiptarë nga skuadrat speciale të Serbisë.

Dhe në këtë situatë, kur Prishtinës i duhet mbështetja, nga Tirana zyrtare vijnë disa reagime sterile. Të tredhura deri në paturpësi nga një president dhe një kryeministër, që nuk guxojnë as t’i përmendin serbët në reagimin e tyre.

Nëse e vë re me kujdes në mesazhin që shpërndau zyra e shtypit e presidentit Bajram Begaj nuk gjendet në asnjë rresht, fjala “Serbi”. Begaj e quan sulmin “një akt i organizuar kriminal” dhe “cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ndërsa i bën thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë ndaj “urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës”.

Që Begaj nuk e përmend dot Serbinë, nuk është rastësi. Në të njëjtën linjë është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që në asnjë rresht të reagimit të tij nuk përmend dot Serbinë, si shteti që qëndron pas sulmit që i mori jetën policit shqiptar dhe që po kërkon destabilizimin e Kosovës.

Përkundrazi, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i duket zgjidhje një konferencë ndërkombëtare e jashtëzakonshme, një propozim i vjetër ky i Serbisë që synon të sfidojë, të zhvlerësojë dhe të vërë në diskutim faktin që Kosova është tashmë shtet i pavarur dhe që duhet respektuar si i tillë.

Sipas Ramës, zgjidhja nuk është t’i bëhet thirrje Serbisë të ndalet dhe të mos hedhë në territorin e Kosovës skuadra speciale që rrëmbejnë dhe vrasin policë, por “thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara”.

Reagimet e Ramës dhe të Begajt janë edhe një herë tjetër në vazhdën e politikës servile dhe të gjunjëzuar të Tiranës ndaj SHBA dhe Bashkimit Europian, që në këtë periudhë kanë qenë të ashpër me Albin Kurtin dhe tolerantë ndaj Aleksandër Vuçiçit. Pikërisht se ndjekin me përulësi politikat e ndërkombëtarëve, Rama dhe Begaj vetëcensurohen në reagimet e tyre, duke mbajtur qëndrime të turpshme sikur të ishin zëdhënës të organizmave ndërkombëtare.

Reagimi i Bajrom Begajt
Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.

Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës.

Reagimi i Edi Ramës

Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë.

Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.