Të ndihmohet Ukraina deri në fund! Kjo është motoja e deritanishme e Perëndimit në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë. Mirëpo duket se diçka po ndryshon në kushtet e një stanjacioni në front që ka provokuar probleme ekonomike për mjaft vende.

Në këtë kuadër ndihma perëndimore është shndërruar në problem politik me rëndësi strategjike, pasi një humbje në Ukrainë nga Perëndimi do të nënkuptonte një goditje imazhi me pasoja në organizimin e balancës së fuqisë në botë. Nuk është më çështje fjalësh, por veprimesh. Aktor kryesor mesa duket i kthimit të politikës në drejtim të kundërt me tani ngjan të jetë kryeministri hungarez Viktor Orban. Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se aleatë Orbanit, që i përkasin të djathtës ekstreme, do të zhvillojnë një takim me dyer të mbyllura me përfaqësues të republikanëve në Uashington për të nxitur ndalimin e ndihmës amerikane ndaj Ukrainës.

Aleatët hungarezë raportohet se janë pjesë të Institutit Hungarez për Çështjet Ndërkombëtare dhe ata marrin pjesë në një aktivitet të organizuar nga “Heritage Foundation”. Takimi vjen ndërkohë që një javë më parë Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se pa paratë e nevojshme të miratuara nga Kongresi, Kievi do të dorëzohet dhe mbetet pa logjistikë që në fund të këtij viti. Të mërkurën republikanët bllokuan një paketë emergjence për Ukrainën dhe në kushtet kur SHBA po frenohet në këtë drejtim, Orban po vepron që të bllokojë edhe ndihmën europiane.

Lidhur me këto shqetësime, ish-presidenti ukrainas, Leonid Kuchma ka deklaruar gjatë një interviste për të njëjtën gazetë se tërheqja amerikane në këtë fazë do të ishte dërrmuese. Kuchma shprehet se ka disa raportime sipas të cilave “Putin e ka Ukrainën një lloj manie, ose çregullimi mendor”.

Ndoshta është e vërtetë

shton ai duke sugjeruar se “qëllimi i presidentit rus me nisjen e pushtimit ka qenë shkatërrimi i konceptit të Ukrainës”. Sipas tij është e paimagjinueshme që Putin të firmosë një dokument ku pranohet se ai nuk mori çfarë synonte në Ukrainë, ndaj ndihma perëndimore është e pazëvendësueshme.

SHBA ka humbur Afganistanin. Humbja në Ukrainë do të thoshte që SHBA të humabsë imazhin përpara mbarë botës…Unë besoj në fitore. Unë nuk mund të ekzistoj në një tjetër mënyrë, ka thënë ai.