Ndeshje perfekte! Dakord, Moldavia nuk është as Franca dhe as Turqia, por po luanim në transfertë dhe vinim pas një humbjeje dramatike kundër turqve. Shqipëria fiton kundër Moldavisë me rezultatin 4-0 dhe nuk i jep asnjë shans kundërshtarëve. 
Dominim absolut, që shoqërohet edhe me një rekord: Shqipëria nuk i kishte shënuar kurrë në një ndeshje kualifikuese tre gola në pjesën e parë. Ka ndodhur vetëm një herë, në atë fitoren 4-1 kundër Lituanisë në vitin 2013, por ajo ishte miqësore. Përtej kësaj, u pa një skuadër që funksionon.
Trashi që shënon në debutim një super gol dhe dy debutues të tjerë si Selahi dhe  Kumbulla. Serinë e golave e hapi Cikalleshi, më pas dyfishoi Bare. Kjo, edhe falë dy gafave në mbrojtje të mbrojtësve dhe portierit vendës. Më pas vjen predha e Trashit që çarmatosi tërësisht vendësit.

Në pjesën e dytë kuqezinjtë u mjaftuan vetëm me administrimin e lojës, por spektakli nuk kish mbaruar. Në minutën e fundit, një shpërthim i Roshit të futur në pjesën e dytë ndihmon Manajn të shënojë me thembër. Një mbrëmje spektakolare për Shqipërinë, që u mbështet fuqimisht edhe nga tifozët kuqezi, që as në këtë transfertë nuk e lanë vetëm kombëtaren. Përkundrazi, dëgjoheshin vetëm ata në stadium.

MOLDAVI-SHQIPËRI 0-4

Cikalleshi 22′, Bare 34′ , Trashi 40′ , Manaj 90′