Intensifikohen kontaktet mes Juventus e Emerson Palmieri. Mbrojtësi i krahut i Chelsea është prej kohësh në radarët e bardhezinjve e mbetet një nga objektivët kryesorë për merkaton e verës, por nuk përjashtohet që Paratici të bëjë një tentativë për ta marrë në Torino që në janar. Sarri ka nevojë për një lojtar që ti japë frymëmarrje edhe Alex Sandro, duke qenë se e vetmja alternativë për brazilianin është De Sciglio. Pikërisht ish-Milanit, në rast të ardhjes së Palmierit, do ti hapen rrugët për një transferim tek Paris Saint Germain.

Pas një fillim sezoni si titullar, Emerson ka humbur në hierarkitë e Frank Lampard e ka luajtur vetëm 90′ në dy nga shtatë ndeshjet e fundit të Premier League (në humbjet kundër Bournemouth e Southampton). Objektivi i lojtarit është të luajë një Europian si protagonist me Kombëtaren e Mancini e për këtë mund të marrë në konsideratë hipotezën për tu rikthyer në Serie A. Formula mund të jetë ajo e huazimit me detyrim blerjen, duke qenë se Juventus do të synojë tek ai në verë.

Në këtë pikë, me ardhjen e italo-brazilianit, nuk përjashtohet largimi nga bardhezinjtë i Mattia De Sciglio, që edhe në verë ishte në shenjestrën e PSG. Pavarësisht mohimit të Tuchel, nga Franca bëjnë të ditur se parisienët po mendojnë ende për mbrojtësin, ndërsa mes dy klubeve qendron në lojë edhe këmbimi mes Emre Can e Leandro Paredes.