Muzikantë, producentë, muzikologë, historianë e artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë: Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Rhani Krija, Vlashent Sata, Emiljano Dhimo, Shpat Deda, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga, të gjithë së bashku, bashkëpunuan për të realizuar këngën dhe videon “Lum Lumi i Lirë“. Kjo këngë (një nismë e duos Duni – Zari) lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë sistematike që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve.

O Valbonë me Shtojzovalle,

që këndon tek zbret ndër male, 

ujin duan të ta shterin, 

shtratin duan të ta bjerrin.

O moj Vjosë valë-valë, 

zonjë e rëndë, ti zonjë e rrallë, 

vrullin duan të ta presin, 

trupin duan të ta shesin.

Lumi qante lumin, ti dhe unë nuk bzajmë 

ç’qe ky fat hajdut që na zhvat nam e nishan.

(Refren) S’duam tuba, s’duam diga, 

s’duam pengesa dhe prita. 

Duam çdo njeri i mirë të thërrasë: 

Lum Lumi i Lirë!

Lumi vajton lumin, Valbonë shtatdhunuar, 

si në përrallë murosur o nuse gji zbuluar.

Thellë në shtrat o Vjosë zë rrënjë betonimi, 

kujë, mall e qumësht, si në legjendë murimi.

Kush është sot vërtetë shqiptar 

Shqipen s’e nxjerr në pazar, por thotë: 

“Mos vendos për mu, diga mbi lumenj nuk du!”/ MekuliPress.com/