Tridhjetë vjet pas luftës që shkatërroi Ballkanin, ligji i ri i miratuar nga Parlamenti i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës njeh për herë të parë fëmijët e lindur nga përdhunimi dhe gratë që kanë pësuar dhunë si viktima civile të luftës, duke u ofruar atyre mundësinë të zgjedhin midis një pension invaliditeti dhe një ndihme mujore.
Deri më sot, edhe pse dhuna seksuale njihet si krim kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, për shkak të burokracisë, fëmijët e lindur nga dhuna seksuale gjatë luftës nuk janë njohur si viktima të saj. Shoqëria boshnjake i ka stigmatizuar dhe diskriminuar prej kohësh, duke i bërë shpesh të ndihen fajtorë. Deri më tani emri i babait ka qenë i detyrueshëm pothuajse në të gjitha dokumentet zyrtare. Por këta fëmijë, të detyruar ta lënë bosh seksionin në fjalë, e kanë pasur të pamundur aplikimin për një grant ose një bursë studimi.
E njëjta stigmë i ka shoqëruar edhe gratë, fëmijët e të cilave nuk barazoheshin me jetimët e luftës. Ligji i ri për mbrojtjen e viktimave civile të konfliktit – i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024 – e anulon përfundimisht këtë padrejtësi duke detajuar procedurën e njohjes dhe metodat e dhënies së ndihmës dhe duke sanksionuar se të gjithë prindërit do ta përfitojnë, pavarësisht nga statusi i tyre ekonomik.
Ligji është finalizimi i një fushate të gjerë të OJQ-ve boshnjake, mes të cilave Zaboravljena Djeca Rata (Fëmijët e Harruar të Luftës, ZDR), me bazë në Sarajevë. Ajna Jusic, e cila po ashtu ka ardhur në jetë pas përdhunimit të së ëmës gjatë luftës, është sot 29 vjeç. Ajo ka qenë në krye të betejës për njohjen e fëmijëve të dhunës, duke arritur të gjejnë mbështetje në pushtetin ekzekutiv dhe në realitete të tjera të shoqërisë civile boshnjake.
“Miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një shoqërie të bazuar në barazinë e të gjithë qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës,” është shprehur ajo.
Në ekuilibrin e brishtë të Ballkanit, me tensionet që nuk janë shuar kurrë në Kosovë dhe me kërcënimet e vazhdueshme për shkëputje nga Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ligji për mbrojtjen e viktimave civile i miratuar nga parlamenti i Sarajevës paraqet një kthesë pozitive për të ardhmen.