Shqipëria do të tentojë t’i fitojë tri pikë të rëndësishme sonte kundër Islandës, në mënyrë që t’i kthehet garës në Grupin H për ta siguruar një vend kualifikues në Kampionatin Evropian 2020.

Sonte në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, ekipi kombëtar i Shqipërisë do ta kërkojë fitoren kundër Islandës – që radhitet e 36-ta në botë, 28 pozita më lart sesa Shqipëria në ranglistën e FIFA-s.

Rezultati i kësaj ndeshjeje do të ketë rëndësi të madhe për shpresat e kuqezinjve për ta siguruar një vend në Kampionatin Evropian, pasi që tri disfatat dhe dy fitoret e deritanishme e kanë lënë atë në një pozitë të pafavorshme.

Deri më tani, Shqipëria radhitet e katërta në grup, me gjashtë pikë të fituara nga pesë ndeshje të zhvilluara. Në anën tjetër, tri konkurrente të kuqezinjve – Franca, Turqia dhe Islanda – kanë arritur t’i grumbullojnë nga 12 pikë nga këto pesë ndeshje të para.

Megjithatë, Shqipëria deri më tani në këtë grup disfatat i ka ndjekur me fitore dhe të njëjtën gjë do të tentojë ta bëjë edhe sonte, pas disfatës me rezultat 4:1 kundër Francës në “Stade de France”, të shtunën.

Skuadra e Edy Reja ende ëndërron të marrë pjesë për herë të dytë në histori në një Kampionat Evropian, pas kualifikimit historik në EURO 2016, ku u eliminua pastaj në fazën e grupeve.

Për ta realizuar këtë ëndërr, Shqipëria do të duhet të marrë rezultate të mira në pesë ndeshjet e mbetura në fazën e grupeve, duke filluar qysh nga ndeshja që do ta zhvillojë sonte në shtëpi.