“Ligue 1 e Ligue 2 nuk mund të rifillojnë të paktën deri në gusht”. Njoftimi i Edouard Philippe, kryeministrit francez, ka mbyllur para kohe sezonin futbollistik në Francë e tani cështja është si do të veprohet me promocionet, rënien nga kategoria e sidomos për titullin kampion.

Sipas asaj që ka zbardhur para kohe në profilin e tij në Tëitter Joel Domenighetti, kryeredaktori i L’Equipe, pasi të zyrtarizohet fundi i Ligue 1, Psg do të shpallet kampion. Marseille e Rennes do të jenë dy skuadrat e tjera të kualifikuara në Champions, Lille, Reims e Nice do të shkojnë në Europa League, ndërsa Amiens e Toulouse sezonin e ardhshëm do të rinisin nga kategoria e dytë franceze (Lens e Lorient janë dy të ardhurat nga Ligue 2).

Kështu, është shmangur makthi i parisienëve që i frikësoheshin një mosdorëzimi të titullit. Federata Franceze e Futbollit ka vendosur kështu që të ruhet edhe konfigurimi i Ligue 1, duke aprovuar rënien e dy skuadrave një kategori më poshtë, pavarësisht rezervave që do kenë në këtë rast Amiens e Toulouse që janë dënuar pa i luajtur shanset deri në fund.